Rama pret në takim ambasadoren e re të BE-së, Sofia Moreira de Sousa

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 8 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama priti sot në Kryeministri ambasadoren e re të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila ka marrë zyrtarisht detyrën në krye të Delegacionit të BE-së në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama ndau foto nga takimi me ambasadoren e re, ndërsa shkroi: “Mirëseardhja në Tiranë e ambasadores së re të Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa”.

Takimi vjen pak ditë pas marrjes zyrtare të detyrës nga diplomatja portugeze. Më 2 shtator, Moreira de Sousa i paraqiti letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke formalizuar fillimin e mandatit të saj si ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ajo do të drejtojë Delegacionin e BE-së në Tiranë për katër vitet e ardhshme.

Në deklaratën e saj pas paraqitjes së kredencialeve, ambasadorja e re e cilësoi integrimin evropian të Shqipërisë si një proces në një fazë vendimtare, duke theksuar se synimi i përbashkët duhet të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve. Ajo u shpreh se do të punojë ngushtë me autoritetet shqiptare dhe partnerët e tjerë për të avancuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër