Editorial / Çfarë pret BE-ja më që tërë kohën flet për zgjerim, e kjo nuk po ndodh!

Nga R.ZH
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 shtator– Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor muajin e ardhshëm. Edhe pse vizitat janë të shpeshta nga funksionarë të BE-së, sërish rezultatet e integrimit në BE për Ballkanin Perëndimor janë shumë të vogla. Zhgënjimi është shumë i madh tek popullata e Ballkanit të cilët nuk shohin më shpresë të integrimit, por shpresë vetëm të ikjes dhe largimit. E pyetja që shtorhet vazhdimisht është se çfarë pret BE-ja që tërë kohën flet për zgjerim, dhe ky zgjerim nuk po ndodh, shkruan “Zhurnal.mk”.

Von der Leyen do ta vizitojë Ballkanit, mund ta shmang Serbinë!

Shmangia e vizitës në Serbi si pjesë e turit është një mundësi që nuk përjashtohet, sepse Serbia e cila synon integrimin në BE, së fundmi ka varrosur me nderime më të larta ushtarake dhe shtetërore ish-komandantin e Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i cili u dënua nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera lufte në Bosnje.

Më herët, komisionarja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e anuloi një vizitë në Beograd, duke thënë se glorifikimi i Ratko Mlladiqit pas vdekjes së tij, nuk “përputhet me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”.

Megjithatë, Presidentja e Komisionit Evropian pritet gjatë kësaj periudhe të vizitojë Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën e Bosnjë e Hercegovinën.

Çfarë mund t’i premtojë Shkupit!

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mund t’i premtojë Shkupit mbështetje të vazhdueshme për integrimin rajonal dhe ndihmë financiare, duke ritheksuar se progresi formal drejt anëtarësimit varet nga reformat kushtetuese.

Ajo pritet të vërë në dukje Planin e Rritjes së BE-së prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, i cili ofron qasje graduale në Tregun e Përbashkët të BE-së. Maqedonia e Veriut është pjesë e paketës financiare të BE-së. Fondet jepen me këste sipas reformave të bëra (p.sh., vetëm në maj 2026, BE-ja lëshoi 65.7 milionë euro për Shkupin pas reformave në edukim dhe digjitalizim, duke e çuar totalin e alokuar deri tani në 142.1 milionë euro). Në total, vendi pritet të përfitojë rreth 750 milionë euro investime

Gjithashtu, presidentja e KE-së, pritet që t’i bëjë thirrje Shkupit të ruajë ritmin e reformave të brendshme me qëllim integrimin në Bashkimin Evropian.
BE-ja ofron mundësinë që bizneset dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut të përfitojnë nga liria e tregut evropian përpara se vendi të anëtarësohet zyrtarisht.

Së fundmi, Maqedonia e Veriut është future në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), gjë që ul drastikisht kostot e transfertave bankare me jashtë.

Maqedonia e Veriut e mbetur pa zgjidhje!

Pozicioni zyrtar dhe i pandryshueshëm i Komisionit Evropian është se “topi” është në fushën e Shkupit. Von der Leyen kërkon me ngulm që Maqedonia e Veriut të bëjë ndryshimet kushtetuese për të përfshirë pakicën bullgare në Kushtetutë. Sipas saj, kjo kërkesë është e lidhur ngushtë me kornizën negociuese të BE-së.

Insistimi i saj vjen për shkak se ky kusht është pjesë e “Propozimit Francez” të pranuar në vitin 2022 për të hequr veton e Bullgarisë. Pa këtë ndryshim, nuk mund të hapet asnjë kapitull tjetër i negociatave zyrtare për anëtarësim në BE.

Por, njëherësh BE-ja refuzon të japë “garanci paraprake” që Bullgaria nuk do të vendosë veto të tjera në të ardhmen. Arsyet kryesore pse BE-ja nuk mund dhe nuk do të japë garanci që Bullgaria nuk do të vendosë veto në të ardhmen është e e drejta e Vetos është absolute, “Propozimi francez” është kthyer në Kornizë Zyrtare, veto mund të vendoset në çdo moment dhe krijohet një precedent i ri në funksionimin e BE-së.

Sipas traktateve themeltare të BE-së, çdo vendim që lidhet me zgjerimin dhe pranimin e shteteve të reja anëtare kërkon votën unanime të të gjitha vendeve ekzistuese. KE-ja nuk ka asnjë autoritet ligjor për të anuluar ose kufizuar të drejtën e votës së një shteti anëtar.

Në vitin 2022, Shkupi dhe Sofja pranuan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Franca (i njohur si “Propozimi Francez”. Me këtë akt, mosmarrëveshja dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u shndërrua në kusht zyrtar të dokumenteve të BE-së. Meqenëse ky propozim thotë se ndryshimet kushtetuese janë kushti për hapjen e kapitujve, BE-ja thjesht po zbaton një kornizë ku vetë Shkupi ka rënë dakord më parë.

Procesi i anëtarësimit në BE ka mbi 30 kapituj që duhen hapur dhe mbyllur një nga një. Bullgaria (apo çdo vend tjetër si Greqia apo Franca) ka mundësinë ligjore të vendosë veto në dhjetëra momente të ndryshme gjatë viteve të ardhshme. Edhe nëse Bullgaria premton se nuk do të vendosë veto për gjuhën apo historinë, ajo mund të vendosë veto nesër duke pretenduar se Maqedonia e Veriut nuk po lufton mjaftueshëm korrupsionin, ose mbi bazën e ndonjë incidenti tjetër politik apo gjyqësor. Për këtë arsye, askush në Bruksel nuk mund të garantojë sjelljen e ardhshme të qeverive të një shteti sovran.

Nëse BE-ja do të ndërhynte për të “bllokuar” veton e Bullgarisë ose për të mbrojtur Shkupin me garanci speciale, kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm për vendet e tjera anëtare. Shtetet e BE-së (sidomos ato më të voglat) e çmojnë të drejtën e vetos si mjetin e tyre më të fuqishëm për të mbrojtur interesat e tyre kombëtare dhe nuk pranojnë që Brukseli t’ua kufizojë këtë të drejtë për hir të një vendi kandidat.

E thënë “shkurt e shqip” Presidentja e KE-së, Von der Leyen i thotë Shkupit se nëse duan anëtarësimin politik, duhet patjetër të ndryshojnë Kushtetutën. Ndërsa nëse bëjnë reformat ekonomike, BE-ja do t’i mbështesë menjëherë me miliona euro dhe integrim tregtar. Por, garanci që Bullgaria nuk do të kërkojë kushte tjera nuk ka, dhe i gjithë problem çalon këtu. Integrimi mbetet në vend numëro, dhe në fund shtrohet pyetja a i ka fajet Ballkani, a i ka fajet BE-ja. Secili e ka storjen se është në të drejtë, vetëm qytetarët janë të zhgënjyer dhe të dëshpëruar duke parë dritë vetëm në rrugën e shpërnguljes dhe ikjes, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër