Janevska: Rezultatet e PISA-s janë pasojë e reformave të mëparshme, efektet e reformave të reja do të shihen pas 10 viteve

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 shtator, Zhurnal.mk – Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Jnevska, sot ka folur për rezultatet e testimit PISA, me çka tha se ato rezultate janë si pasojë e reformave të bëra më herët.

Ajo tha se ata kanë ardhur në pushtet në vitin 2024 dhe vetëm gjashtë muaj më vonë, në vitin 2025, u zhvilluan këto testime.
Siç tha ajo, rezultatet e reformës që aktualisht po zbatohet në sistemin arsimor të Maqedonisë do të jenë të dukshme pas rreth dhjetë vitesh.

Sipas rezultateve të testimit PISA 2025, i cili mat aftësitë për zgjidhjen e problemeve dhe zbatimin e njohurive në situata reale, nxënësit e Maqedonisë kanë shënuar rezultate më të ulëta se mesatarja e vendeve të OECD-së në të tri fushat kryesore – matematikë, lexim dhe shkencë – si dhe në pjesën e zgjidhjes së problemeve kompjuterike.

Nxënësit 15-vjeçarë nga Maqedonia e Veriut kanë rezultate më të dobëta në matematikë krahasuar me vitin 2022, ndërsa rezultatet në lexim dhe shkencë mbeten pothuajse në të njëjtin nivel. Janevska theksoi se nxënësit e vendit kishin rezultate më të mira edhe në vitin 2001.

“Për fat të keq, në vitin 2001 kemi pasur rezultate më të mira në lexim dhe të kuptuar. Rezultatet më të mira i kemi pasur në vitin 2018, që, sipas mësimdhënësve dhe analizave, është rezultat i reformës ‘Kembrixh’. Rezultatet e reformës që po zbatohet aktualisht do t’i shohim kur këta nxënës të mbushin 15 vjeç, pra diku pas 9-10 vitesh. Për fat të keq, nuk bëhet fjalë vetëm për programet. Do të duhet t’u kushtojmë shumë më tepër vëmendje edhe elementeve të tjera që përbëjnë sistemin arsimor”, tha Janevska.

Sipas rezultateve të PISA 2025, në nivel global është shënuar rënie e performancës në lexim dhe matematikë, që lidhet edhe me inteligjencën artificiale. E pyetur se si mund të përballet sistemi me një fenomen të tillë, i cili ndikon në përqendrim, koncentrim dhe mënyrën e të nxënit, ministrja tha se ekzistojnë teza se teknologjia ka ndikim të konsiderueshëm në këto rezultate në nivel global.

“Por ekzistojnë edhe teza të tjera se e gjithë situata shoqërore në vende të caktuara, si dhe situata globale, kanë ndikim të konsiderueshëm. Ende nuk mund të themi se vetëm inteligjenca artificiale kontribuon seriozisht në këtë. Ndoshta ndikim më të madh kanë rrjetet sociale, përdorimi i pakontrolluar i telefonave dhe tabletëve. Do të përballemi me këtë në mënyrën klasike, atë që e promovojmë vazhdimisht: fëmijët duhet të mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë në mënyrë tradicionale, të zhvillojnë motorikën dhe mendjen e tyre, ndërsa mësuesit duhet t’i mësojnë se si ta përdorin teknologjinë në funksion të të menduarit kritik dhe analizës kritike. Prandaj thashë se nuk është vetëm një element që ndikon në rezultate”, deklaroi Janevska.

Sa i përket përdorimit të telefonave celularë gjatë mësimit, ministrja tha se “në një numër të madh shkollash në Maqedoni, telefonat nuk përdoren gjatë gjithë ditës”.

“Fëmijët i lënë telefonat në pajisje të posaçme për këtë qëllim – kuti apo forma të ndryshme prej pëlhure, ku i vendosin telefonat. Mësuesit ua kërkojnë shprehimisht këtë. Ata i përdorin vetëm në raste të jashtëzakonshme dhe vetëm në ato shkolla ku ende nuk është siguruar teknologji informatike për të ndihmuar në këtë drejtim”, u përgjigj Janevska.

Sipas rezultateve të testimit ndërkombëtar PISA 2025, në testin e matematikës vetëm 32 për qind e nxënësve kanë arritur të paktën nivelin bazë të njohurive, ndërsa mesatarja e OECD-së është 65 për qind. Në shkencë, rreth 36 për qind e nxënësve në vend kanë zotëruar konceptet bazë. Në raport theksohet se në këtë fushë asnjë nxënës nuk ka arritur nivelet më të larta 5 ose 6. Ndërkaq, vetëm rreth 26 për qind e nxënësve në Maqedoninë e Veriut kanë arritur nivelin 2 ose më lart në lexim, ndërsa asnjë nga nxënësit e testuar nuk ka arritur nivelin më të lartë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër