“Në emër të popullit serb”, Haxhiu i kërkon Simiqit ta tërheqë deklaratën, ai refuzon – ia ndërpret fjalën

Nga D V
28 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 9 shtator, Zhurnal.mk – Pas deklaratës së deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili gjatë propozimit të kandidatit për nënkryetar të Kuvendit tha se po e bënte atë “në emër të popullit serb”, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cilësoi deklaratën si të papranueshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, duke i kërkuar Simiqit ta tërhiqte fjalën dhe propozimin ta bënte në përputhje me legjislacionin e Kosovës.

“Dua të ndalem te deklarimi i deputetit të Kuvendit, Igor. Ka bërë një deklarim të papranueshëm. Ky deklarim është kundër Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Populli serb është në Serbi. Ky deklarim është i papranueshëm dhe kërkoj ta tërhiqni dhe të bëni propozimin në përputhje me ligjet e Kosovës dhe Rregulloren e Kuvendit”, tha Haxhiu.

Simiq iu përgjigj duke thënë se propozimin e kishte dorëzuar me shkrim, ashtu siç ishte kërkuar nga kryesia e Kuvendit.

“Ta kam dorëzuar me shkrim, siç keni kërkuar ju…”, deklaroi Simiq.

Haxhiu kërkoi nga regjia që t’ia ndërpriste mikrofonin, duke insistuar që deputeti i Listës Serbe vetëm ta tërhiqte deklaratën lidhur me mënyrën e formulimit të propozimit.

Simiq vazhdoi duke thënë: “Unë jam pjesëtar i popullit serb…”, por Haxhiu ia ndërpreu sërish fjalën.

Pas debatit, Haxhiu tha se Rregullorja e Kuvendit përcakton masat që mund të ndërmerren në raste të tilla.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se në takimin e zhvilluar mes grupeve parlamentare nuk kishte pasur pajtim lidhur me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Sipas saj, shqetësime të ngjashme me ato të ngritura ndaj propozimit të Simiqit janë shprehur edhe për propozimet e tjera për nënkryetarë.

“Në takim nuk pati dakordim për nënkryetarët e Kuvendit. Nuk ka vota për nënkryetarët”, tha Haxhiu.

Haxhiu njoftoi se seanca e Kuvendit do të vazhdojë të premten në orën 11:00.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër