Shkup, 9 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Hristijan Mickoski sot në Shtip mori pjesë në fillimin zyrtar të instalimit të parkut të erës, investim i cili, pas përfundimit të të tri fazave, pritet të ketë vlerë mbi gjysmë miliard dollarë.
Mickoski tha se investitori ka paralajmëruar edhe projekte të tjera në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes biznesit, komunitetit lokal dhe institucioneve.
Në Shtip u vu në përdorim edhe një qendër e re sportive me palestër, për të cilën kryeministri tha se do të jetë një hapësirë e rëndësishme për sportistët dhe të rinjtë e qytetit.
Në kuadër të aktiviteteve u nënshkrua edhe marrëveshja e sponsorizimit mes kompanisë „Alcazar Energy Partners“ dhe klubit të basketbollit nga Shtipi.
„Ajo që qytetarët mund ta shohin qartë sot është ndryshimi – nga një rrënojë në një objekt sportiv reprezentativ, evropian“, tha Mickoski, duke shtuar se Qeveria do të vazhdojë të fokusohet në projekte që sjellin rezultate konkrete për qytetarët.
