Bozdo: SPAK të hetojë aferën e TEC-eve lundruese në Vlorë

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 10 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, njëherësh nënkryetar i Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, i cilësoi sot si aferë korruptive të qeverisjes socialiste, TEC-et lundruese “Tigri 1 dhe 3”.

Përmes një deklarate për mediet nga kryesia e Kuvendit, Bozdo iu referua vendimit të 3 shtatorit 2026 të Bordit të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), i cili sipas tij, refuzoi rilicencimin e dy TEC-eve dhe pezulloi procedurën.

Gjithashtu sipas Bozdos, TEC-et kanë operuar pa leje të vlefshme mjedisore.

Bozdo tha se, kostot e kësaj marrëveshjeje kanë kaluar tashmë 65 milionë dollarë vetëm për qira dhe mirëmbajtje dhe se mbi 44 milionë dollarë janë paguar për qiranë, ndërsa më shumë se 21 milionë dollarë për mirëmbajtjen e dy TEC-eve lundruese.

“Për një kapacitet të pretenduar prej 110 MW, përgjatë dy viteve të fundit janë prodhuar gjithsej vetëm rreth 109 mijë MWh”, deklaroi Bozdo, duke shtuar se kostoja e energjisë së prodhuar ka qenë rreth 163 euro për MWh, sipas të dhënave të KESH-it.

Bozdo tha se për prodhimin e kësaj sasie energjie janë konsumuar mbi 25 mijë tonë karburant të rëndë, me një kosto prej më shumë se 18 milionë dollarësh. Sipas tij, kjo e çon faturën totale të projektit në rreth 83 milionë dollarë.

Në fjalën e tij, ai ngriti pikëpyetje edhe mbi një procedurë të hapur këtë vit nga KESH për depozitimin dhe ngarkim-shkarkimin e lëndës djegëse, me fond limit rreth 5.3 milionë euro.

Sipas deputetit demokrat, procedura është zhvilluar me negocim pa njoftim paraprak dhe pa garë.

“Ligji i prokurimit e lejon këtë procedurë vetëm për raste emergjence ekstreme dhe të paparashikueshme. Pyes sot publikisht KESH-in dhe ministrin e linjës: Çfarë urgjence të paparashikueshme kishte këtu, kur anijet ndodhen aty që prej vitit 2022? Asnjë! Dhe rezultati? Mori pjesë vetëm një kompani, La Petrolifera Italo Albanese, dhe u shpall fituese me 99.95% të fondit limit. Diferenca midis fondit limit dhe çmimit të fituar ishte qesharake, vetëm 260 mijë lekë! Kjo nuk është garë; ky është pazar i mbyllur në tavolinë”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Bozdo u ndal edhe tek hapja nga KESH të një tenderi të ri, me vlerë rreth 20 milionë euro, për operimin dhe mirëmbajtjen e TEC-eve lundruese për dy vitet e ardhshme.

Sipas tij, nëse këtyre shpenzimeve u shtohen kostot e deritanishme, fatura totale e projektit shkon në rreth 100 milionë euro.

Bozdo tha gjithashtu se drejtuesit e KESH-it refuzojnë të bëjnë publike kontratat e qirasë së këtyre objekteve, nën pretekstin e sekretit tregtar.

Deputeti demokrat i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të nisë veprime lidhur me këtë çështje.

“Ne i kërkojmë SPAK-ut të zgjohet nga letargjia dhe të sekuestrojë menjëherë të gjithë praktikën shkresore, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deri te KESH-i. Kërkojmë anulimin e menjëhershëm të tenderit të ri prej 20 milionë eurosh për dy anije që as nuk lejohen të punojnë ligjërisht. Dhe kërkojmë publikimin e plotë dhe të menjëhershëm të çdo kontrate të fshehur pas termit mashtrues të “sekretit tregtar””, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër