Shasivari: Standardet evropiane duhet të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme në çdo vendim për paraburgim

Nga I.A
28 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 shtator, Zhurnal.mk – Mënyra se si përcaktohet paraburgimi është një nga treguesit më të rëndësishëm për respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit, theksoi ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari në promovimin e “Udhëzuesit për zbatimin e masës së paraburgimit në prizmin e nenit 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.

Sipas Shasivarit, udhëzuesi përbën një mjet praktik të rëndësishëm për gjyqtarët, prokurorët publikë, avokatët dhe profesionistët e tjerë juridikë, sidomos në drejtim të përmirësimit të praktikës gjyqësore dhe prokuroriale dhe zbatimit të qëndrueshëm të standardeve evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Kur flasim për paraburgimin, flasim për një nga pikat më të ndjeshme të procedurës penale – momentin kur shteti e kufizon një nga të drejtat më themelore të njeriut – të drejtën për liri”, theksoi Shasivari.

Ai nënvizoi se paraburgimi nuk duhet të përcaktohet automatikisht, as të përdoret si zëvendësim për vendim gjyqësor, duke veçuar rëndësinë e prezumimit të pafajësisë.

“Paraburgimi nuk duhet të bëhet instrument i automatizmit. Nuk duhet të bëhet zëvendësim për vendim gjyqësor. Dhe më e rëndësishmja – njeriu nuk duhet të trajtohet si fajtor para se të merret vendim i formës së prerë për fajësinë e tij”, porositi ministri i Drejtësisë.

Siç theksoi Shasivari, privimi nga liria mund të jetë i justifikuar vetëm kur ekziston arsye konkrete, reale dhe individualisht e përcaktuar, ndërsa qëllimi i procedurës nuk mund të arrihet me zbatimin e një mase më të butë.

“Çdo vendim për paraburgim duhet t’i përgjigjet një pyetjeje thelbësore: Pse pikërisht ky person, pikërisht tani dhe pikërisht në këto rrethana, duhet të privohet nga liria?”, tha ai.

Ministri vuri në dukje edhe rëndësinë e praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në çështjet kundër Maqedonisë, si dhe nevojën që justifikimi i paraburgimit të vlerësohet vazhdimisht, jo vetëm në momentin kur ai përcaktohet.

Sipas tij, sundimi i ligjit nuk vlerësohet vetëm përmes efikasitetit të shtetit në zbulimin dhe ndjekjen e veprave penale, por edhe përmes mënyrës se si vepron kur kufizon të drejtën e dikujt për liri.

Udhëzuesi pritet të kontribuojë për siguri më të madhe juridike, arsyetim më cilësor të vendimeve dhe zbatim të harmonizuar të standardeve evropiane në praktikë.

Ministria e Drejtësisë, siç u theksua, do të vazhdojë të mbështesë iniciativat për përmirësimin e sistemit gjyqësor, forcimin e kapaciteteve profesionale dhe mbrojtjen e qëndrueshme të të drejtave të njeriut.

“Përgjegjësia jonë e përbashkët është të ndërtojmë një gjyqësor në të cilin qytetarët do të kenë besim dhe një sistem në të cilin të drejtat e njeriut nuk do të jenë vetëm të shkruara në ligje, por do të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme në praktikë. Sepse drejtësia nuk është vetëm në marrjen e vendimit. Drejtësia është edhe në mënyrën se si merret ai vendim”, porositi Shasivari.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër