„Asnjë i akuzuar nuk guxon të shpëtojë nga ngadalësia e sistemit“, porosisin prindërit

Nga Xh M
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 10 shtator Zhurnal.mk – I akuzuari i parë për zjarrin në diskotekën “Pulse”, Dejan Jovanov, në fillim të tetorit do të duhet të lirohet nga paraburgimi, pasi skadon afati ligjor prej një viti nga vlerësimi i aktakuzës.

Nga Gjykata Penale konfirmojnë se paraburgimi i Jovanovit është vazhduar deri më 3 tetor 2026, pas së cilës, sipas detyrës zyrtare, do t’i caktohen masa të tjera për sigurimin e pranisë së tij.

Jovanov ndodhet në paraburgim që nga tragjedia në Koçan, ndërsa aktakuza është vlerësuar më 3 tetor 2025. Sipas Gjykatës, në përputhje me dispozitat ligjore, paraburgimi mund të zgjasë më së shumti një vit nga vlerësimi i aktakuzës.

“Me qëllim të sigurimit të pranisë së papenguar në pjesën e mëtejshme të procedurës gjyqësore, Gjykata, sipas detyrës zyrtare, pas skadimit të afatit ligjor për masën e paraburgimit, cakton masa shtesë për kujdes dhe sigurimin e të akuzuarit”, thonë nga Gjykata Penale.

Por, ndërsa procesi gjyqësor për një nga tragjeditë më të rënda në vend ende vazhdon, procedura e provave të Prokurorisë është drejt fundit, pas së cilës do të vijojë ajo e mbrojtjes. Familjet e viktimave kanë frikë se skadimi i afateve do të tregojë sërish se sistemi është më i ngadalshëm se pasojat e tragjedisë.

“Ne, prindërit e fëmijëve që i humbëm në natën më të tmerrshme për Koçanin, nuk do të shikojmë në heshtje se si skadojnë afatet ligjore, ndërsa sistemi përsëri vonohet. Për ne, kjo nuk është vetëm çështje e një paraburgimi apo e një personi. Kjo është çështje nëse shteti, më në fund, do të tregojë se 63 jetë të humbura kanë kuptim më të madh sesa një afat, një nen dhe një procedurë”, thotë Aleksandar Naunov, babai i njërit prej viktimave dhe kryetar i Shoqatës “16 Mars 2015 Koçan”.

Nga Shoqata kërkojnë që institucionet të reagojnë nëse ekzistojnë të dhëna për vepra të tjera penale dhe baza ligjore për procedim ndaj Jovanovit apo ndaj cilitdo prej të akuzuarve.

“Jo kur të skadojë afati. Jo kur të dalë nga paraburgimi. Jo kur përsëri të jetë tepër vonë. Dhe kjo nuk vlen vetëm për të. Asnjë i akuzuar nuk duhet të shpëtojë për shkak të ngadalësisë së sistemit”, ka porositur Naunov.

Ndërkohë, numri i të akuzuarve që ndodhen nën masat më të rrepta po zvogëlohet ndjeshëm.

Todori Jovanov, vëllai i të akuzuarit të parë, i cili natën tragjike shiste bileta, tashmë e ka hequr masën e arrestit shtëpiak dhe ka siguruar garanci prej 319.154 eurosh në pasuri të paluajtshme.

Për të akuzuarin Bekim Haxhiu është caktuar garanci prej 849.602 eurosh, gjithashtu në pasuri të paluajtshme.

Aktualisht, masën e arrestit shtëpiak e kanë ende Jane Jançevski dhe Ivica Grozdanovski. Për Jançevskin është pranuar garanci prej mbi 33.000 eurosh dhe, pas regjistrimit të hipotekës, ai do të lirohet nga arresti shtëpiak me masa shtesë për sigurimin e pranisë.

Mitko Stojanov, Martin Gjorgjiev dhe Stojanço Dimitriev e kanë zëvendësuar arrestin shtëpiak me masa për sigurimin e pranisë, ndërsa ish-inspektori kryesor në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ljupço Grnçishtarov, ndërroi jetë ndërsa ndodhej në arrest shtëpiak.

Për familjet e viktimave, megjithatë, çështja nuk është vetëm se kush do të qëndrojë në paraburgim, por edhe nëse të gjithë ata që kanë kontribuar në tragjedi do të mbajnë përgjegjësi.

“Sepse pas kësaj tragjedie ne shohim vite të tëra dështimesh, heshtjeje, lejimesh dhe mosveprimi. Mos u përpiqni që me ngadalësinë e sistemit të na e hiqni edhe shpresën për drejtësi”, ka porositur Naunov.

Në zjarrin në diskotekën “Pulse” në Koçan, më 16 mars 2025, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.

Prokuroria të gjithë të akuzuarve u ngarkon të njëjtën vepër penale – vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, përkatësisht pjesën që i referohet mosveprimit të personave zyrtarë përgjegjës për mbrojtjen nga fatkeqësitë.

Aktakuza i trajton të gjithë 34 të akuzuarit si bashkëkryerës, pasi kanë vepruar me dashje të përbashkët, edhe pse mosveprimet kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore.

Që në fillim parashikohej një proces i gjatë dhe i mundimshëm, ndërsa këtë e konfirmoi edhe mbrojtja me paralajmërimin për paraqitjen e një numri të madh provash verbale dhe materiale kundër aktakuzës.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër