Prishtinë, 11 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe popullin amerikan.
Abdixhiku ka thënë se sulmet e 11 Shtatorit 2001, ku humbën jetën rreth 3 mijë njerëz, tronditën mbarë botën dhe mbetën në kujtesën kolektive si një prej akteve më të rënda të terrorizmit.
“Ky sulm nuk ishte vetëm një goditje ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por një sfidë brutale ndaj vetë vlerave themelore mbi të cilat ngrihet shoqëria demokratike, lirisë, paqes dhe bashkëjetesës”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se Kosova e njeh më së miri çmimin e lirisë dhe rëndësinë e miqësisë me Shtetet e Bashkuara.
“Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është vetëm marrëdhënie mes dy vendeve; është një lidhje e ndërtuar mbi besim, vlera dhe një histori të përbashkët solidariteti”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Në përvjetorin e 11 Shtatorit, Abdixhiku ka riafirmuar përkushtimin ndaj aleancës me SHBA-në dhe vlerave demokratike.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për viktimat e 11 Shtatorit”, ka përfunduar mesazhin e tij Abdixhiku.
