Tiranë, 11 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot rezultatet e Shqipërisë në testin “PISA 2025”, duke e cilësuar atë si fryt të një pune të gjatë për transformimin e sistemit arsimor.
Gjatë takimit me 88 nxënësit fitues të olimpiadave kombëtare dhe ndërkombëtare, Rama tha se rezultati i PISA-s është një nga lajmet që i ka sjellë më shumë kënaqësi gjatë detyrës së tij si kryeministër.
“Testi i PISA 2025, për mua personalisht është një fryt shumë i shijshëm i një pune shumë të gjatë, jo të lehtë, me të përpjeta dhe tatëpjeta për të transformuar sistemin tonë arsimor”, tha Rama.
Kryeministri renditi ndër drejtimet e kësaj pune transformimin e infrastrukturës së shkollave, përmbajtjes së mësimit dhe cilësisë së teksteve, si dhe përmirësimin e situatës së mësuesve.
Rama theksoi se në këtë proces është synuar edhe krijimi i një klime më të qëndrueshme për mësuesit, duke vënë theksin te meritokracia, siguria në vendin e punës dhe rritja e vazhdueshme e pagave.
Ai përmendi gjithashtu programet e trajnimit dhe edukimit në vazhdim për mësuesit, si dhe përmirësimin e cilësisë së drejtimit të shkollave përmes Shkollës së Drejtorëve, ku drejtuesit trajnohen dhe certifikohen.
Sipas Ramës, përmirësimi i rezultateve lidhet edhe me krijimin e një atmosfere më pozitive në shkolla, përmes programeve pas mësimit, aktiviteteve sportive, artit dhe zejeve.
“Besoj se është një kënaqësi shumë legjitime e një rezultati që padiskutim është meritë e nxënësve”, tha Rama, duke shtuar se rezultatet e nxënësve ndikohen edhe nga kushtet dhe mjedisi që i rrethon.
