Bllokimi i pagave, Apeli i GJKKO padit Ministrinë e Financave dhe degën e Thesarit Tiranë

Nga D V
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 shtator, Zhurnal.mk – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar paraqiti sot një padi pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë ndaj Ministrisë së Financave dhe degës së Thesarit Tiranë për bllokimin e pagave të magjistratëve dhe administratës gjyqësore.

Në objektin e padisë, gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkon konstatimin e paligjshmërisë së veprimeve të Ministrisë së Financave dhe Degës së Thesarit Tiranë, të cilat, sipas saj, kanë penguar procedimin dhe ekzekutimin e urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave për muajin gusht 2026.

Gjithashtu në objektin e padisë kërkohet konstatimi i paligjshmërisë dhe, për rrjedhojë, shfuqizimin e akteve dhe/ose veprimeve administrative të Degës së Thesarit Tiranë, të materializuara në refuzimin, mosprocedimin ose pezullimin e ekzekutimit të urdhër-shpenzimeve dhe listëpagesave të paraqitura nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për muajin Gusht 2026.

Sipas padisë, përllogaritja e pagave është bërë në zbatim të vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 26 gusht, si dhe të urdhrit të Zëvendëskryetarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Një tjetër kërkesë e gjykatës është që procedimi i dokumentacionit financiar të mos kushtëzohet me ripërllogaritjen e pagave sipas parametrave të muajit korrik 2026, për sa kohë vendimi i KLGJ-së dhe urdhri i Zëvendëskryetarit janë në fuqi dhe prodhojnë efektet e tyre juridike.

Sipas Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pushteti ekzekutiv ka ndërhyrë në zbatimin e akteve që përcaktojnë pagën referuese bazë të magjistratëve, duke penguar prodhimin e efekteve të tyre juridike dhe financiare.

Gjykata thekson se në këtë rast nuk bëhet fjalë për dy organe publike me kompetencë të barabartë për përcaktimin e pagave të magjistratëve.

Sipas saj, Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin, ndërsa Këshilli i Lartë Gjyqësor e ka zbatuar atë. Më tej, Gjykata e Posaçme e Apelit ka vijuar zbatimin e vendimit të KLGJ-së përmes datë 1 shtator 2026, të Zëvendëskryetarit, për kryerjen e përllogaritjeve të pagës referuese bazë.

“Nëse organet financiare vlerësonin se aktet mbi të cilat mbështetej shpenzimi ishin të paligjshme, duhej të vepronin vetëm nëpërmjet mekanizmave dhe procedurave që ligji u njeh. Mosprocedimi i pagesës nuk mund të shërbejë si mjet juridik për pezullimin faktik të një akti administrativ në fuqi”, thuhet në kërkesë padi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër