Gucati i bën apel BE-së dhe ambasadorëve: Mos luani me vendimin e 16 shtatorit, një vendim i padrejtë nuk sjell paqe

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 14 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, u ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe ambasadorëve të huaj që të mos bëjnë politikë me vendimin që shpallet më 16 shtator ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Gucati ka kritikuar deklaratat e diplomatëve dhe BE-së se procesi nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë, pasi palët kanë të drejtë ankese teksa shton se një vendim i padrejtë në shkallën e parë do t’i shkaktonte dëm Kosovës, pavarësisht rezultatit eventual në Apel.

Sipas Gucatit, një vendim i tillë do të mund të përdorej nga Serbia në OKB, në diplomaci dhe në fushatat për çnjohjen e Kosovës, si dhe në përpjekjet për delegjitimimin e shtetësisë së saj.

Ai ka kritikuar gjithashtu Gjykatën Speciale, duke pretenduar se ajo gjatë viteve ka prodhuar një narrativë që, sipas tij, i ka shërbyer Serbisë dhe ka dëmtuar imazhin e luftës së UÇK-së.

“Shumë ambasadorë të huaj, sikurse dje edhe BE-ja, në përpjekje për t’i menaxhuar pakënaqësitë qytetare lidhur me Gjykatën Speciale, po thonë: më 16 shtator nuk përfundon gjithçka, sepse palët e kanë Apelin. Veç çka nuk po thonë direkt: “Mos na pengoni t’i dënojmë një herë, sepse në Apel i shpallim të pafajshëm”. Kjo është një lojë e pistë politike me shkallët e drejtësisë. Gjykata Speciale, që nga fillimi, u ka raportuar diplomatëve, sepse është krijuar dhe mbështetur prej tyre. Ajo nuk ka vepruar asnjëherë si një institucion i pavarur i drejtësisë. Madje, më shumë është dukur e shqetësuar për qëndrimet e përfaqësive diplomatike sesa për gjetjet e organizatave ndërkombëtare lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur aty. Për gati gjashtë vjet, kjo gjykatë ka prodhuar vetëm narrativë që i ka shërbyer Serbisë. Çdo pretendim të Serbisë e ka adresuar dhe rehabilituar. Pavarësisht mungesës së kredibilitetit të dëshmitarëve serbë, i ka pranuar si dëshmitarë. Pavarësisht paqëndrueshmërisë së dëshmive të tyre, pretendimet serbe janë trajtuar si material për gjykim. Prandaj, dëshirë e disa ambasadorëve mund të jetë edhe tani që Gjykata Speciale të vazhdojë t’i shërbejë Serbisë me një vendim në shkallën e parë, për ta korrigjuar më pas në Apel, siç po tentohet të na thuhet. Por, një vendim i padrejtë në shkallën e parë nuk zhbëhet me një pafajësi në shkallën e dytë. Dëmi për Kosovën bëhet atë ditë. Historia rishkruhet atë ditë. Serbia e shfrytëzon atë ditë. Dhe Serbia nuk e pret Apelin”, shkruan Gucati.

Gucati ka thënë se kriminalizimi i luftës së UÇK-së nuk do të prekte vetëm të kaluarën, por edhe bazën politike dhe morale mbi të cilën, sipas tij, është ndërtuar shteti i Kosovës, përfshirë ndërhyrjen e NATO-s.

Ai ka paralajmëruar se një vendim i padrejtë, sipas tij, do të mund të prodhonte pasoja të mëdha për Kosovën dhe marrëdhëniet e saj me Serbinë.

Tutje, Gucati u ka bërë thirrje BE-së dhe ambasadorëve të huaj që të mos ndërhyjnë politikisht në proces dhe të mos e përdorin vendimin e 16 shtatorit si mjet për të menaxhuar pakënaqësitë në Kosovë.

“Mos luani më shumë me plagët tona! Mos e bëni këtë gabim!”, ka shkuar Gucati.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër