DAP në “gjah” të qytetarëve, në emër të borxheve po sakaton buxhetet familjare!

Nga I.A
19 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 shtator, Zhurnal.mk – Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) ka shndërruar publikimin e listave të borxhlinjve në një ritual të përmuajshëm, ku qytetarët dhe kompanitë ekspozohen si shënjestra të një “gjahu fiskal”. Në vend që të fokusohet në reforma strukturore dhe politika të qëndrueshme tatimore, institucioni duket se ka zgjedhur rrugën më të lehtë rikthimin e borxheve të akumuluara prej pesë vitesh e më shumë, duke sakatuar buxhetet familjare dhe duke e shndërruar tatimpaguesin në armik publik. Kjo qasje jo vetëm që ngarkon qytetarët me barrë të papërballueshme, por edhe dëmton besimin në sistemin fiskal, shkruan Zhurnal.

Mbi 221 milionë euro borxh ndaj shtetit: Publikohet lista me 5.240 borxhlinj

Publikimi i fundit i DAP‑it ka nxjerrë në pah një realitet të hidhur ku mbi 221 milionë euro borxh ndaj shtetit, të shpërndarë mes 5.240 subjekteve dhe qytetarëve. Nga ky numër, 2.008 janë persona juridikë, ndërsa 3.232 persona fizikë, duke dëshmuar se barra fiskale nuk kursen askënd as bizneset, as individët.

Borxhi i përgjithshëm i papaguar arrin në 13,64 miliardë denarë, ndërsa krahasuar me muajin e kaluar, lista është zgjeruar me 2 kompani dhe 38 qytetarë të rinj. Kjo rritje prej 7,3 milionë euro tregon se fenomeni nuk po zbutet përkundrazi po thellohet.

Pjesa më e madhe e detyrimeve lidhet me tatimet dhe kontributet, ndërsa borxhi doganor ka shënuar ulje. Megjithatë, fakti që lista përfshin borxhe të maturuara deri më 31 maj 2026, por të papaguara deri më 31 gusht 2026, ngre pikëpyetje mbi efikasitetin e administratës fiskale mbi atë që pse borxhet e akumuluara prej vitesh po rikthehen si barrë e menjëhershme, pa marrë parasysh gjendjen reale ekonomike të qytetarëve?

Gjahut të DAP nuk i shpëtojnë as studentët

Në këtë “gjah fiskal” nuk po shpëtojnë as studentët. Një kategori që tradicionalisht shihet si e mbrojtur dhe e brishtë sot gjendet në shënjestër të tatimeve për të ardhurat e fituara nga punë sezonale jashtë vendit. Studentët që kanë punuar dy muaj në Gjermani, edhe pse janë të liruar nga tatimi në shtetin gjerman, kur kthehen në RMV përballen me detyrimin për të paguar tatim mbi fitimin e siguruar.

Ky paradoks e kthen një përvojë të përkohshme pune shpesh të motivuar nga nevoja për të mbuluar shpenzimet e studimeve në një barrë fiskale të padrejtë. Në vend që të inkurajohen për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe të lehtësojnë barrën ekonomike të familjeve të tyre, studentët penalizohen me tatime që nuk reflektojnë realitetin e tyre financiar.

Ky fenomen jo vetëm që dëmton të rinjtë, por edhe krijon një mesazh negativ që shteti nuk i sheh studentët si investim për të ardhmen, por si burim të menjëhershëm të ardhurash. Në këtë mënyrë, DAP jo vetëm që sakaton buxhetet familjare por edhe minon perspektivat e një brezi të tërë.

Kujtojmë që, në vend të politikave të mençura që do të lehtësonin barrën tatimore dhe do të nxisnin zhvillimin ekonomik, shteti po zgjedh rrugën e shpejtë të mbledhjes së borxheve, duke sakatuar buxhetet familjare dhe duke minuar besimin e qytetarëve në institucionet publike.

Sqarojmë se, ky editorial nuk është thirrje për shmangien e tatimit ndaj shtetit përkundrazi qytetarët duhet të shlyejnë obligimet ndaj shtetit e institucionet ata para t’i kthejnë sërish me projekte në dobi dhe shërbim të qytetarëve. Kjo duhet të jetë edhe reflektim mbi drejtësinë fiskale se a mund të ndërtohet një shtet i qëndrueshëm mbi kurrizin e qytetarëve të varfëruar dhe studentëve të penalizuar? Nëse përgjigjja mbetet “po”, atëherë gjahu i DAP nuk është vetëm fiskal por edhe social e politik. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër