Aro Muric do t’i prijë portës së Kosovës për ndeshjet e Ligës së Kombeve

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Portieri i Sassuolos Arijanet Muric e ka pranuar ftesën e Kombëtares së Kosovës për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve dhe i është përgjigjur pozitivisht pavarësisht raportimeve të fundit.

Kosova i zhvillon katër përballje në Ligën e Kombeve, dy kundër Austrisë, një më Irlandën dhe një me Izraelin. Megjithatë, pensionimi i Amir Rrahmanit mori vëmendjen e madhe, me kapitenin që njoftoi se nuk do të luajë për “Dardanët” duke shfaqur pakënaqësi me drejtuesit e FFK-së.

Të dielën u raportua se edhe “gjashtë lojtarë të tjerë, drejtuar nga Edon Zhegrova do të ndjekin hapat e Rrahmanit”, ndërsa në këtë listë ishte edhe portieri Muric pranë emrave si Vedat Muriqi, Milot Rashica dhe Florent Muslija.

Megjithatë, babai i Muric, Samiri, në një bisedë të shkurtër për Telegrafin konfirmoi se janë raportimet nuk janë të vërteta, duke shtuar se portieri është i lumtur me Kosovën.

“Jo, ai është i lumtur dhe unë jam njëkohësisht. I njohim mirë ata njerëz”, thotë shkurtimisht ai kur pyetet se nëse ylli i Sassuolos e ka refuzuar ftesën si pasojë e ndonjë pakënaqësie me drejtuesit e FFK-së.

Kësisoj, Muric do t’i prijë Kosovës për ndeshjet e Ligës së Kombeve, me “Dardanët” që kanë për objektiv së paku pozitën e dytë në grup, gjë që do t’ia siguronte një vend në vazon e dytë për kualifikimet e “Euro 2028”, shorti i të cilës do të tërhiqet në dhjetor.

Formë e jashtëzakonshme te Sassuolo

Që kur ka nisur sezoni, Muric ka qenë i padiskutueshëm për Sassuoolon, ndërsa ka dhënë paraqitje spektakulare ndeshje pas ndeshjeve.

Deri më tani, ai ka zhvilluar pesë paraqitje (katër në Serie A dhe një në Kupën e Italisë), duke qenë ndër më të vlerësuarit.

Muric ka qenë më i vlerësuari në fitoren 3-0 të Sassuolo ndaj Cesenas në Kupën e Italisë, ndërsa ishte arsyeja kryesore pse skuadra e tij i mori pikët e plota kundër Juventusit, pavarësisht që pranoi dy gola nga bashkëvendasi Edon Zhegrova, me “Sofascore” që e vlerësoi me notën 8.1.

Ndërkohë, në ndeshjet e tjera si me Bolognan dhe Torinon mori notat 7.2, respektivisht 7.7 – duke bërë që vlerësimi më i dobët të jetë 6.8 në humbjen 2-1 ndaj Atalantas.

Ardhja e tij është e domosdoshme për përzgjedhësin Franco Foda edhe pasi portieri i dytë Amir Shaipi ende nuk ka debutuar te ekipi i ri, Castellon në La Liga 2, duke qëndruar në stol në plot gjashtë ndeshje.

Pak ndryshime në listën e Kosovës para katër ndeshjeve

Edhe këtë herë në listën e Franco Fodas nuk pritet të ketë shumë ndryshime, përkundrazi raportimeve të fundit.

Mungesë e madhe mund të jetë Edon Zhegrova, i cili thuhet se nuk është ftuar nga Franco Foda për arsye disiplinore, derisa edhe Florent Muslija mungon shkaku i lëndimit (ka këputur ligamentin dhe pritet të rikthehet në muajin mars).

Ende mbetet e paqartë nëse Foda do të ftojë Valon Berishën, kurse ekziston një mundësi e madhe që të ftohet për herë të parë mesfushori i Kosovës U21, Faton Ademi.

Foda e ka ftuar zyrtarisht edhe Erblin Osmanin e Bayern Munichut, i cili ende nuk ka vendosur nëse do ta përfaqësojë Kosovën apo jo në nivelin ndërkombëtar, kurse fatkeqësisht gjasat janë shumë të ulëta që të kemi Arijon Ibrahimovicin si prurje të re.

Përndryshe, aventura e Kosovës në Ligën B të Ligës së Kombeve do të fillojë më 24 shtator ndaj Irlandës në “Fadil Vokrri”, kurse tre ditë më vonë përballemi me favoritin e grupit Austrinë në udhëtim.

Pas këtyre dy ndeshjeve, Kosova luan me Izraelinn në një vend neutral, pra Hungari kurse e mbyllë në Prishtinë si nikoqir i Austrisë.

Rikujtojmë, vendi i parë përpos kualifikimit në Ligën A, edhe e siguron një pozitë në play-offin e gjysmëfinales për “Euro 2028”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër