Shkup, 14 shtator, Zhurnal.mk – Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska‑Koçoska sot nuk e përjashtoi mundësinë që deri në fund të vitit të ketë ribalancim të ri të Buxhetit. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë vizitës në pikën kufitare “Tabanovcë”, ajo tha se në kohën kur ishte miratuar ribalanci i Buxhetit në korrik të këtij viti, nuk mund të parashikoheshin ngjarjet që pasuan, pra rritja e krizës në Gjirin dhe ndikimi mbi çmimet e energjisë.
E pyetur nëse ka çrregullime në Buxhet dhe sa mund ta përballojë kriza arken shtetërore dhe nëse ka hapësirë për masa të tjera, Dimitrieska‑Koçoska tha se prioritet i Qeverisë janë qytetarët dhe mbrojtja maksimale e tyre dhe njëkohësisht edhe e ekonomisë.
“Çdo reagim ynë që e bëjmë dhe masat që i marrim janë me qëllim që qytetarët të jetojnë më mirë dhe kjo do të mbetet edhe më tej”, tha ajo.
Dimitrieska‑Koçoska theksoi se megjithatë, këto situata nuk ishin planifikuar siç duhet në ribalancin e Buxhetit, duke pasur parasysh se në periudhën kur ishte përgatitur ribalanci gjendjet ishin më të qeta dhe nuk pritej që ndoshta përsëri do të shkonin në drejtimin aktual (përshkallëzues).
“Tani po i shqyrtojmë gjendjet në Ministrinë e Financave, pastaj do të marrim vendim nëse do të shkojmë vetëm me riorientim ose do të shkojmë me ribalancim të Buxhetit”, tha ministrja.
Ajo shtoi se të dhënat deri më 10 shtator tregojnë se Buxheti po mbushet sipas planit, edhe pse, siç theksoi, në pjesën e akcizave ka disa devijime.
“Megjithatë, te taksat e importit ka rritje prej rreth 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar, te TVSH rritja është 10,4 për qind, ndërsa kthimi është për 10,1 për qind më i madh krahasuar me vitin e kaluar, ose janë 2,5 miliardë më shumë TVSH e kthyer krahasuar me vitin e kaluar. E njëjta është me tatimin mbi fitimin, tatimin personal, kontributet…”, tha Dimitrieska‑Koçoska.
Ajo theksoi se gjendja te akcizat po ndiqet, dhe se deri në fund të javës do të ketë takim me Drejtorinë Doganore dhe me UJP dhe mbi bazën e vlerësimeve të tyre do të merret vendim nëse do të ketë ribalancim të ri ose do të shkohet me riorientim të mjeteve.
“Nëse vendosim për ribalancim, kjo nuk është diçka e panjohur, edhe në vitet e mëparshme kur kishte kriza miratoheshin nga dy ribalancime. Është normale që gjendjet e tilla që nuk varen nga ne nuk mund të parashikohen paraprakisht plotësisht”, tha ajo.
E pyetur nëse në Buxhet ka hapësirë edhe për masa të tjera, Dimitrieska‑Koçoska tha se për momentin nuk po diskutohet për asgjë tjetër, por gjendjet po ndiqen.
“Për naftën është marrë vendim për dy javë, do t’i ndjekim gjendjet dhe do të marrim vendime”, tha ajo.
E pyetur nëse deri në fund të vitit planifikohet borxh i ri, duke pasur parasysh përshkallëzimin e krizës, Dimitrieska‑Koçoska tha:
“Jo, absolutisht nuk ka ndryshime në huamarrje, shkojmë sipas asaj që është parashikuar në ribalancim dhe sipas projeksioneve”.
