SHBA përballet me mungesë municionesh pas luftës me Iranin

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 15 shtator, Zhurnal.mk – Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me mungesa strategjike të municioneve pas gjashtë muajsh luftë me Iranin, konfirmoi  inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes në një raport drejtuar Kongresit.

Raporti bie ndesh me deklaratat e presidentit Donald Trump, i cili ka pretenduar se arsenali amerikan është praktikisht i pakufizuar.

Sipas raportit, operacioni ushtarak amerikan dhe izraelit “Epic Fury”, i nisur më 28 shkurt, ka kushtuar rreth 33,4 miliardë dollarë deri më 30 qershor. Nga kjo shumë, 22,3 miliardë dollarë janë shpenzuar për municione të përdorura gjatë operacioneve.

“Shpenzimi i municioneve gjatë operacionit ka shkaktuar mungesa strategjike në rezervat ushtarake dhe ka nxjerrë në pah pengesa në kapacitetet industriale për furnizimin e mëtejshëm”, thuhet në raport.

Për të përballuar mungesat dhe vonesat në furnizim, Pentagoni po përpiqet të përshpejtojë proceset e prokurimit dhe prodhimit, si dhe të krijojë rezerva të materialeve, komponentëve dhe municioneve kritike. Megjithatë, zgjerimi i kapaciteteve prodhuese kërkon kohë të konsiderueshme.

Pasojat për Ukrainën dhe Tajvanin

Mungesat amerikane mund të shkaktojnë shqetësim te vende si Ukraina dhe Tajvani, të cilat mbështeten te blerjet e armëve nga SHBA-ja për t’u mbrojtur ose për të frenuar fqinjët e tyre më të fuqishëm.

Ukraina ka nevojë urgjente për më shumë raketa për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore “Patriot”, ndërsa Tajvani varet nga marrëveshjet e armëve me Uashingtonin për t’iu kundërvënë kërcënimit nga Kina.

Trump mohon shqetësimet për rezervat

Presidenti Trump ka minimizuar vazhdimisht shqetësimet për pakësimin e rezervave amerikane të armëve. Së fundmi, ai deklaroi se SHBA-ja ka “municione praktikisht të pakufizuara” dhe se po prodhon armë të avancuara në një nivel rekord.

Megjithatë, CNN kishte raportuar më herët për mungesa të raketave të drejtuara me rreze të gjatë dhe të raketave për mbrojtjen ajrore. Sipas raportimit, ushtria amerikane kishte përdorur afro 80% të rezervave të raketave për sistemet THAAD.

Humbje të konsiderueshme ushtarake

Raporti i inspektorit të përgjithshëm evidenton edhe humbje në flotën amerikane. Gjatë konfliktit janë shkatërruar katër avionë luftarakë “F-15”, ndërsa një “F-35” është dëmtuar. Gjithashtu, janë dëmtuar shtatë avionë furnizues “KC-135” dhe janë shkatërruar deri në 30 dronë “MQ-9 Reaper”.

Irani ka sulmuar edhe qendrën kryesore logjistike të marinës amerikane në rajon, në Bahrein, duke përdorur dronë dhe raketa balistike.

Qindra ndërtesa dhe struktura në bazat amerikane në Kuvajt, Bahrein, Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Irak, Oman dhe Jordani janë dëmtuar ose shkatërruar. Këto dëme nuk janë përfshirë në vlerësimin financiar të raportit, pasi ende nuk dihet nëse të gjitha bazat do të rindërtohen dhe kush do të mbulojë kostot.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër