Tiranë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi sot në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen, por njëkohësisht duhet të respektohet edhe rendi kushtetues mbi të cilin ajo ka vepruar.
Gogu ishte i pranishëm në shqyrtimin e projektligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ku në fokus ishte edhe çështja e pagave të magjistratëve.
Sipas Gogut, çështja thelbësore është se kush duhet të përcaktojë formulën e pagës dhe masën e çdo page në Republikën e Shqipërisë, duke theksuar se Kushtetuta përcakton se kjo kompetencë i takon Kuvendit përmes ligjit.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që kërkon ndërhyrjen e ligjvënësit meriton vetëm ligj. Mosveprimi i Kuvendit nuk mund të zgjidhet me marrjen e kompetencave dhe me marrjen e të tjera kompetencave të ndryshme nga ligji”, u shpreh Gogu.
Ministri theksoi se sistemi i pagave në Republikën e Shqipërisë duhet të respektojë parimet e përcaktuara në Kushtetutë dhe në ligj. Ai veçoi integritetin, llogaridhënien dhe efikasitetin si tre parime të rëndësishme të reformës në drejtësi.
Ndërkohë, opozita kërkoi zhvillimin e një seance dëgjimore me institucionet dhe organizatat përfaqësuese të sistemit të drejtësisë, lidhur me situatën e krijuar për pagat e magjistratëve.
Kërkesa u paraqit nga deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili tha se një e treta e anëtarëve të komisionit kanë kërkuar dëgjimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve të Shqipërisë dhe Shoqatës së Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.
Bylykbashi kërkoi që në seancën dëgjimore të marrin pjesë edhe drejtuesi i SPAK-ut, Prokurori i Përgjithshëm dhe kryetari i Gjykatës së Lartë, në mënyrë që komisioni të marrë në konsideratë qëndrimet e tyre përpara marrjes së një vendimi.
“Ky është komisioni përgjegjës dhe këtu do të ndodhë seanca dëgjimore për këtë çështje”, deklaroi Bylykbashi.
Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, tha se sekretaria duhet të njoftojë institucionet për zhvillimin e seancës dëgjimore dhe se dëgjesa do të nisë sot, në orën 13:00.
Nga ana tjetër, deputeti demokrat Gjin Gjoni kërkoi që përfaqësuesi i qeverisë të paraqesë projektligjin për ndryshimet ligjore lidhur me pagat e magjistratëve dhe jo deputetët.
Ndërsa deputetja socialiste Aulona Bylykbashi, e cila prezantoi draftin për ndryshimin e pagave të magjistratëve, deklaroi se koeficienti i pagës kalon nga 0.36 në 0.38% të pagës së Presidentit të Republikës.
Sipas saj, koeficienti i ri është përcaktuar duke marrë parasysh garancitë kushtetuese për trajtimin financiar të magjistratëve, përgjegjësinë e funksionit të tyre dhe mundësitë financiare të shtetit.
“Sipas llogaritjeve tona, në një shembull, paga bruto e një magjistrati të Shkallës së Parë do të arrijë afërsisht në 90% të pagës së Presidentit”, deklaroi ajo.
Bylykbashi shtoi se projektligji ruan edhe mekanizmin e indeksimit periodik, me synim mbrojtjen e pagave të magjistratëve nga inflacioni dhe rritja e kostove të jetesës.
