KDI: Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë pasojat e shkeljes së afateve për konstituimin e Kuvendit

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 15 shtator, Zhurnal.mk – Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të sqarojë pasojat e shkeljes së afateve kushtetuese dhe procedurale gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit, përfshirë të drejtën e propozimit të kryetarit dhe nënkryetarëve, si dhe mënyrën e vazhdimit të seancave, raporton Ekonomia Online.

Këto vlerësime u bënë në konferencën për media me rastin e publikimit të analizës “Konstituimi i Kuvendit pas skadimit të afatit kushtetues – Mes nevojës për funksionalitet institucional dhe respektimit të rendit kushtetues”, ku KDI ngriti disa çështje që, sipas tyre, duhet të trajtohen nga Gjykata Kushtetuese.

Nga KDI thanë se marrëveshjet politike dhe vendimmarrja e Kuvendit nuk mund t’i shlyejnë obligimet e akterëve institucionalë për respektimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Eugen Cakolli nga KDI tha se tashmë në Gjykatën Kushtetuese janë dy raste, njëri për konstituimin e Kuvendit dhe tjetri për votimin e Qeverisë, por sipas tij këto janë vetëm dy nga katër çështjet që duhet të trajtohen.

“Meqenëse marrëveshjet politike apo vendimmarrja e Kuvendit si e tillë nuk mund t’i shlyejë obligimet që kanë akterët institucionalë për t’i respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, respektivisht dispozitave kushtetuese. Ajo çfarë ka rëndësi është që arsyeja kryesore se pse po dalim me këtë analizë tash, ndërlidhet me faktin që Kuvendi ndonëse është deklaruar si i konstituar, tashmë ka një rast në Gjykatën Kushtetuese për çështjen e konstituimit dhe një rast tjetër për votimin e qeverisë, por të cilat besojmë që janë vetëm dy prej katër elementeve të cilat do të duhej të merrnin trajtim nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Cakolli tha se procesi i konstituimit është karakterizuar nga shkelje të afatit 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, si dhe të afatit procedural për thirrjen e seancës konstituive.

“Çështja më e rëndësishme në kuadër të procesit të konstituimit të institucioneve ka qenë se i njëjti është karakterizuar nga disa shkelje, përfshirë shkeljet e afatit kushtetues për konstituim të Kuvendit brenda 30 ditëve, afati i cili është shkelur që nga seanca e mbajtur më 8 gusht, si dhe ka pasur shkelje të afatit procedural për thirrjen e seancës konstituive nga ana e kryesuesit të seancës. E vetmja paqartësi në këtë drejtim mbetet se cilat janë pasojat konkrete, nëse do të ketë të tilla, dhe mënyra e zbatimit të këtyre pasojave në rast të shkeljeve të tilla edhe në të ardhmen”, tha ai.

Sipas tij, KDI ka identifikuar katër çështje kryesore, ndërsa ka theksuar se shkelja e afateve nuk nënkupton domosdoshmërisht shpërndarjen e Kuvendit.

“Në kuadër të kësaj analize, KDI ka ngritur katër pyetje apo çështje diskutabile të cilat përfshijnë shkeljen e afatit 30-ditor, gjegjësisht cilat do të jenë pasojat që do të prodhojë shkelja si e tillë dhe si nëse mund të vazhdojë procesi i konstituimit. Çështja e dytë ka të bëjë me të drejtën e propozimit si të kryetarit ashtu edhe të nënkryetarëve. Nëse e njëjta mund të shterrohet, të konsumohet, dhe nëse po, kur dhe si mund të konstatohet një gjë e tillë. Çështja e tretë ka të bëjë pra me afatin 48-orësh. Në mënyrë që të sigurohet vazhdimi i seancës në rast se kryesuesi refuzon që ta bëjë një gjë të tillë. Dhe në rast se mungon një vendimmarrje e kryesuesit për ta vazhduar seancën, cilat duhet të jenë mekanizmat për parandalimin e bllokadës së pafund. Sa i përket çështjes së afateve, KDI nuk vlerëson që shkelja e këtyre afateve ka pasojë të drejtpërdrejtë shpërndarjen e Kuvendit, por që absolutisht një çështje dhe opsion i tillë duhet të merret në trajtim nga ana e Gjykatës Kushtetuese, në kuadër të rastit që është dërguar për konstituimin e Kuvendit, por edhe rasteve të tjera që mund të dërgohen gjatë ditëve në vijim”, tha ai.

Ndërkaq, Vullnet Bugaqku tha se Gjykata Kushtetuese duhet të trajtojë edhe të drejtën e propozimit të kryetarit dhe nënkryetarëve, në mënyrë që kjo e drejtë të mos përdoret për zvarritjen e procesit.

“Në vlerësojmë që Gjykata Kushtetuese meqenëse e ka tashmë rastin ose që pritet me e shqyrtu rastin tani e tutje lidhur me konstituimin e Parlamentit, humbjen e afatit unë besoj që duhet me trajtu edhe çështjen e të drejtës së propozimit qoftë për pozitën e kryetarit të Kuvendit edhe për pozitën e nënkryetarëve. Nga afati 30 ditorë në rast se nuk ka propozim të kryetarit ose të kandidatit për kryetar të Kuvendit, si dhe qoftë edhe të kandidatëve edhe për nënkryetar, a mund të konsiderohet që kjo e drejtë të shërbejë si një e drejtë absolute, e pakufishme, dhe që të shfrytëzohet me qëllimin e vetëm që të zvarriten afatet, të shkelet kushtetuta dhe të pamundësohet konstituimi i Parlamentit të Kosovës? Ne besojmë që kjo është një çështje substanciale dhe që tanimë duhet trajtim nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Bugaqku u ndal edhe te mosrespektimi i afatit 48-orësh për vazhdimin e seancave, duke thënë se Gjykata duhet të sqarojë përgjegjësinë e kryesuesit të seancës.

“Aspekti tjetër që mendojmë se është shumë e rëndësishme që të sqarohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese, dhe presim që kjo çështje të jetë një ndër elementet e shqyrtimit edhe në vendimin e radhës, është çështja e rregullit të vazhdimit të seancave të Kuvendit ose e mosrespektimit të afatit 48 orë të vonesave në thirrjen e seancës së Kuvendit. Pavarësisht që ne e dimë që është shkelur afati i 30 ditorë, kryesuesi i seancës kushtetuese filloi me e caktu ose të themi ashtu, me e thirrë seancën kushtetuese me datë 8 gusht, mirëpo që nga data 8 gushti deri më 9 shtator ai nuk ka bërë asnjë lëvizje në kuptimin e asaj që ta përmbushë detyrimin e tij që i takon sipas rregullores, sipas kushtetutës, por edhe atë gjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.

Ai tha se duhet të sqarohet se cilat janë mekanizmat që mund të përdoren në rast se kryesuesi i seancës nuk i zbaton detyrimet e tij.

“Prandaj ne mendojmë që Gjykata Kushtetuese duhet me sqaruar njëherë e mirë që ky kryesues i seancës në kuptimin që është i zgjedhur sipas moshës ose i takon e drejta që ta udhëheqë seancën sipas moshës, a ka të drejtë i njëjti që për më shumë se një muaj ta shkelë vazhdimin e rregullores së punës së Kuvendit, edhe pse ishte shkelur afati i 30 ditorë, megjithatë ka gjykim të Gjykatës që ka përcaktuar se konsultimi i Parlamentit mund të vazhdojë dhe mund të provohet me kushtin që të caktohen seancat jo me moshe 48 orë. Prandaj, meqenëse ta themi ashtu, do të ekzistonte qëllimi për ta kushtetuar Kuvendin, ne nuk e kuptojmë pse ky kryesues për më shumë se një muaj nuk thirri fare seancat kushtetuese dhe besoj që Gjykata duhet me na sqaru më tutje se çfarë janë efektet, pasojat dhe cila është mundësia të themi ashtu, e gjetjes së një zgjidhje tjetër që në rast se një kryesues i seancës kushtetuese nuk i zbaton detyrimet e tij në përputhje me rregulloren dhe kushtetutën e Kosovës, si mund të procedohet më tutje me thirrjen e seancës dhe vazhdimin e punës së saj”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër