Një revistë e shekullit XIX, e marrë hua nga një bibliotekë amerikane 132 vjet më parë, është kthyer më në fund në vendin ku i takon – edhe pse me një vonesë prej më shumë se 48 mijë ditësh.
Bëhet fjalë për numrin e shtatorit të vitit 1894 të revistës The Century Illustrated Monthly Magazine, i cili u kthye javën e kaluar në Concord Public Library, në New Hampshire.
Biblioteka kishte njoftuar më herët një periudhë faljeje për gjobat e librave dhe materialeve të kthyera me vonesë. Pikërisht ky njoftim duket se e bindi personin që e kishte revistën në shtëpi prej dekadash ta kthente atë.
Sipas bibliotekës, revista ishte kthyer 48,220 ditë me vonesë. Nëse do të zbatohej gjoba për vonesën, shuma do të arrinte në rreth 12,055 dollarë, transmeton Telegrafi.
Personi që e ktheu revistën, i identifikuar vetëm si John, tha se ajo kishte “qëndruar” në shtëpinë e tij për dekada, por ai nuk e kishte idenë se si kishte përfunduar aty.
Vendimin për ta kthyer e mori pasi lexoi në gazetën lokale për pezullimin e gjobave nga biblioteka.
Biblioteka Concord e përshkroi rastin me humor, duke thënë se që nga njoftimi për faljen e gjobave kishte parë shumë njerëz të lumtur që po kthenin materiale të vjetra.
“Sigurisht, prisnim që të ktheheshin libra me vonesa të mëdha, por padyshim jo diçka nga fundi i shekullit XIX!”, shkroi biblioteka në Facebook.
Që nga 1 shtatori 2026, institucioni ka shpallur një amnisti njëvjeçare për gjobat e vonesave, në kuadër të një periudhe prove për të parë efektet e një biblioteke pa gjoba.
Pavarësisht kthimit të saj, revista nuk pritet të rikthehet në qarkullim për huazime. Biblioteka sugjeroi se ajo mund të vendoset në Concord Room, një hapësirë e dedikuar historisë lokale.
Në fund, John mund të konsiderohet me fat: në vend që të përballej me një faturë prej 12,055 dollarësh, ai thjesht e riktheu revistën pas 132 vitesh.
Një vonesë e tillë, me sa duket, është aq e rrallë sa biblioteka vendosi ta shndërrojë në një histori për arkivin e saj.
