Berisha: Lënia pa paga e sistemit të drejtësisë, mungesë respekti për institucionet

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, tha se përplasjet e fundit me sistemin e drejtësisë dëshmojnë për shtet bandit.

Berisha tha se vendi po përballet me një mënyrë qeverisjeje që nuk respekton ligjin dhe parimet kushtetuese.

Duke u ndalur tek çështja e pagave të magjistratëve, Berisha tha se buxheti dhe thesari janë pasuri të shtetit dhe jo të qeverisë.

“Përplasjet e fundit me sistemin e drejtësisë dëshmojnë se kemi të bëjmë me një shtet bandit që nuk njeh ligj, që vepron në kundërshtim me parimet dhe tërësisht në përputhje me interesat e caktuara. Të lësh një sistem të tërë pa rroga, se je administrator i paaftë, bën një krim të vërtetë kushtetues. Ti i mohon rrogën atij që në përputhje me ligjin del tetë orë në punë. Janë me qindra e qindra punonjës dhe kjo është e paimagjinueshme. Buxheti nuk është i qeverisë, buxheti është i shtetit. Thesari nuk është i qeverisë, thesari është i shtetit”, tha Berisha.

Sipas tij, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveria duhet të kishte ndërmarrë nismat e nevojshme ligjore për zbatimin e tij.

“Gjykata Kushtetuese mori një vendim. Nuk po them as i drejtë as i padrejtë, po një vendim në të cilin thotë me datë 28 duhet ta shqyrtoni, sillni ligjin. Dhe ky i mësuar me gjykatën notere, e quajti vendimin e saj, gjë krejtësisht të pavlerë, të padetyrueshëm, si vendim e OJQ-së. Po pse s’e mblodhe parlamentin? Pse s’e bëre ligjin? Kanë 100% të drejtë ata”, u shpreh Berisha.

Berisha e lidhi situatën e krijuar me atë që ai e konsideron si mungesë respekti ndaj institucioneve dhe shtetit të së drejtës.

Në fund të fjalës së tij, Berisha shprehu sërish mbështetjen për protestën e qytetarëve para Kryeministrisë.

Ai iu tha deputetëve demokratë se zgjedhësit duhet të jenë në protestë, si qytetarë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër