Tiranë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Rezerva e sigurisë së hidrokarbureve do të administrohet nga një subjekt shtetëror, sipas projektligjit të miratuar sot nga Këshilli i Ministrave, i cili synon ndryshimin e mënyrës së mbajtjes dhe menaxhimit të kësaj rezerve.
Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, deklaroi pas mbledhjes së qeverisë se projektligji sjell një ndryshim të plotë të qasjes aktuale, pasi rezerva e sigurisë nuk do të mbahet më nga operatorët privatë.
“Me anë të këtij projektligji bëjmë një ndryshim të plotë të qasjes aktuale, ku rezerva aktuale e hidrokarbureve mbahet nga operatorët privatë. Me anë të këtij akti ligjor, mbajtja e rezervës së sigurisë së hidrokarbureve bëhet nga një subjekt shtetëror, duke i dhënë një garanci dhe siguri mbajtjes dhe përdorimit, siç e përcakton ligji”, tha Karakaçi.
Ministri shpjegoi se rezerva e sigurisë synon të përdoret në rastet kur në treg ka mungesë të hidrokarbureve.
Sipas tij, projektligji parashikon krijimin e një Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Hidrokarbureve, i cili do të ketë përgjegjësinë për ruajtjen dhe menaxhimin e rezervës, si dhe hedhjen e saj në treg sipas nevojave dhe përcaktimeve të ligjit.
“Ky projektligj vendos krijimin e një Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Hidrokarbureve, i cili ka për detyrë ta ruajë dhe menaxhojë, duke e hedhur në treg sipas nevojës dhe siç e parashikon ligji”, deklaroi Karakaçi.
Projektligji synon gjithashtu përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë së furnizimit me hidrokarbure.
