Rama: Gjykata Kushtetuese nuk mund t’i vendosë afat Kuvendit

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen, por theksoi se një gjykatë nuk mund t’i diktojë ligjvënësit mënyrën se si dhe kur duhet të votojë.

“Respekto vendimin e GJK-së, patjetër, por ama kurrë një GJK nuk i thotë dot një ligjvënësi, çoje dorën kështu, se vendosa unë. Kurrë!”, tha Rama.

Sipas Kryeministrit, në rastin konkret Gjykata Kushtetuese ka lënë hapësirë për diskrecion të Kuvendit në përcaktimin e zgjidhjes.

“Fatmirësisht, në këtë rast, nëse ka thënë, ka lënë diskrecion të plotë”, u shpreh ai.

Rama kundërshtoi gjithashtu idenë se Kuvendit mund t’i vendosen afate nga një pushtet tjetër për të marrë një vendim apo për t’u mbledhur për një çështje të caktuar.

“Për sa i përket shkeljes së afatit, nuk i vihen Kuvendit afate. Është një tjetër nonsense. Nuk mund të thotë askush Kuvendi, përveçse vetë anëtarët e tij, se kur do të mblidhet dhe se për çfarë do të mblidhet”, deklaroi Rama.

Ai kritikoi atë që e konsideroi si ndërhyrje të institucioneve të tjera në veprimtarinë e Kuvendit, duke sjellë si shembull vendosjen e një afati për mbledhjen e tij.

“Si do të vijë një pushtet tjetër atje që thotë: do të mblidheni ju brenda datës 31, se po nuk e bëtë, do të mësyjmë dyert e Thesarit?”, tha Kryeministri.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër