“Me të gjitha mjetet që kemi”/ Kurti nga New Yorku: Do të angazhohemi për korrigjimin e verdiktit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Nga Xh M
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Nju Jork, 20 shtator Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar nga New Yorku se Qeveria do të angazhohet për të mbështetur përpjekjet për ndryshimin e vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Kurti ndodhet në Shtetet e Bashkuara për takime në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa gjatë qëndrimit të tij është parashikuar edhe takimi me përfaqësues të diasporës shqiptare.

Në një bashkëbisedim me të rinjtë e diasporës shqiptare në New York, Kurti tha se ekzekutivi kosovar do të ofrojë mbështetje “në çdo mënyrë dhe me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion” për përpjekjet që synojnë korrigjimin e verdiktit.

Sipas tij, nevojitet edhe një strategji shtetërore për fazën e apelit, që të përfshijë mbështetjen për ekipet mbrojtëse, por edhe angazhimin diplomatik të Kosovës.

Kurti tha se Qeveria synon të bashkëpunojë me aleatët ndërkombëtarë dhe të kundërshtojë atë që ai e cilëson si propagandë të Serbisë ndaj luftës së UÇK-së.

Qëndrimi i tij vjen tre ditë pas shpalljes së vendimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Më 16 shtator, Kurti e cilësoi publikisht vendimin “padrejtësi të papranueshme” dhe kërkoi që ai të ndryshohej në apel.

Një ditë më pas, kryeministri u takua edhe me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, ku të dy diskutuan rrugët që mund të ndiqen pas vendimit dhe ranë dakord për vazhdimin e komunikimit për këtë çështje.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër