Prishtinë, 20 shtator Zhurnal.mk – Publicisti Veton Surroi ka paraqitur nëntë konstatime pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ato synojnë të krijojnë bazë për një lexim të përbashkët politik dhe institucional të situatës në Kosovë.
Surroi ka theksuar në hyrje se aktgjykimi nuk është i formës së prerë, se përgjegjësia e trajtuar është individuale dhe se dënimi i individëve nuk e zhbën, sipas tij, karakterin e drejtë të luftës së UÇK-së.
Ai ka paralajmëruar se vendimi e ka gjetur Kosovën në një krizë të zgjatur politike dhe se publikimi i plotë i aktgjykimit mund ta thellojë polarizimin, nëse vendi nuk arrin një lexim të përbashkët të tij.
Sipas Surroit, Kosova po rrezikon të hyjë në ligjërimin e kundërshtarëve të saj duke e bartur përgjegjësinë individuale te UÇK-ja dhe te Kosova në tërësi.
“Një pjesë e debatit ia bart këtë përgjegjësi UÇK-së dhe Kosovës si tërësi, diçka që ka qenë pjesë e ligjërimit të kundërshtarëve të Kosovës gjatë tridhjetë vjetëve të fundit”, ka shkruar ai.
Në pikën e tretë, Surroi ka theksuar se aktgjykimi mund të ndryshohet vetëm përmes procesit të Apelit.
“Ndryshimi i aktgjykimit mund të kërkohet vetëm me mjetet juridike të parashikuara nga sistemi i Dhomave të Specializuara”, ka shkruar ai, duke paralajmëruar se idetë për rrugë politike ose joligjore mund të krijojnë pritje të rreme.
Ai është shprehur kundër idesë së zhbërjes së njëanshme të Dhomave të Specializuara, duke argumentuar se kjo nuk do ta ndihmonte procesin e Apelit.
“Ideja e zhbërjes së njëanshme të Dhomave të Specializuara […] nuk ofron mjet juridik për rrëzimin e aktgjykimit apo për përmirësimin e pozitës së katër të dënuarve në Apel”, ka shkruar Surroi.
Në analizën e tij, Surroi vlerëson se Dhomat e Specializuara kanë bazë ligjore dhe kushtetuese, por se nuk gëzojnë bazë të gjerë legjitimiteti shoqëror në Kosovë. Ai e lidh këtë edhe me mënyrën e krijimit të tyre dhe me raportin e Dick Martyt.
Surroi ka ngritur gjithashtu çështjen e qasjes në sistemin evropian të të drejtave të njeriut, duke thënë se katër të dënuarit nuk mund ta adresojnë Kosovën para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përderisa Kosova nuk është palë e Konventës Evropiane.
“Katër qytetarët evropianë, duke qenë qytetarë të Kosovës, janë të diskriminuar”, ka shkruar ai.
Një tjetër çështje që Surroi ka ngritur është mandati i Dhomave të Specializuara, për të cilin thotë se vazhdon pa një datë të përcaktuar përfundimi dhe pa një mekanizëm të përbashkët parlamentar që do ta përcillte përmbushjen e obligimeve dhe kushtet për përfundimin e tij.
Në fund, Surroi ka vlerësuar se Kosova ka treguar “pjekuri të veçantë institucionale” në raport me Dhomat e Specializuara, por se kjo, sipas tij, nuk është reflektuar në pozitën evropiane të vendit.
“Marrëdhënia me Bashkimin Evropian ka mbetur kryesisht e njëkahshme: Kosovës i janë kërkuar obligime të jashtëzakonshme, pa iu njohur përparim përkatës në statusin e saj evropian”, ka shkruar Surroi.
Ai ka paralajmëruar se pas këtyre nëntë konstatimeve do të paraqesë edhe një propozim për një platformë të përbashkët veprimi.
