Moreira de Sousa: Shpejtësia e ligjeve për integrimin nuk duhet të rrezikojë transparencën dhe mbikëqyrjen parlamentare

Nga D V
23 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, deklaroi se procesi i integrimit evropian kërkon vijimin e reformave dhe rezultate të pakthyeshme, ndërsa theksoi rëndësinë e mbikëqyrjes parlamentare, transparencës dhe konsultimit publik në procesin e hartimit dhe miratimit të ligjeve.

Duke folur në takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, ambasadorja tha se, pavarësisht progresit të bërë, mbetet ende punë për t’u kryer.

“Për të arritur mbylljen e negociatave, progresi i negociatave kërkon progres në të gjitha reformat që kërkon BE. Duhet të mos kemi kthim mbrapa”, u shpreh Moreira de Sousa.

Ajo theksoi se konsolidimi i reformës në drejtësi duhet të vijojë, duke garantuar standardet e sistemit të drejtësisë dhe duke siguruar që rezultatet e arritura të jenë të pakthyeshme.

Ambasadorja vlerësoi hapat e bërë nga Shqipëria në fushën e të drejtave të njeriut, por nënvizoi se ruajtja e ritmit të reformave duhet të shoqërohet me procese transparente dhe gjithëpërfshirëse.

“Shpejtësia nuk duhet të rrezikojë mbikëqyrjen e parlamentit dhe bërjen publike të ligjeve. Gjithçka fillon me ligje të mira. Duhet të bëhet konsultim kuptimplotë para se të miratohen”, tha ajo.

Sipas ambasadores, legjislacioni nuk duhet të jetë vetëm teknikisht i saktë, por edhe në përputhje me nevojat e qytetarëve. Ajo theksoi se reformat që lidhen me BE-në prekin çdo aspekt të jetës, nga menaxhimi i mjedisit tek arsimi, ndaj procesi duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë.

“Duhet të kemi një qasje që të përfshijë gjithë shoqërinë dhe këto reforma bëhen më të realizueshme. Parlamenti ka një rol kyç për ta realizuar një gjë të tillë. Një parlament transparent është një shtyllë e rëndësishme e një demokracie të shëndoshë”, deklaroi Moreira de Sousa.

Ajo kërkoi gjithashtu që shoqëria civile dhe sektori privat të kenë mundësi të shprehen gjatë procesit të hartimit të legjislacionit.

“Duhet të kemi një qasje që të përfshijë të gjithë shoqërinë, mbikëqyrjen e shoqërisë civile, sektorin privat. Të gjithë duhet të kenë mundësi të thonë fjalën e tyre”, përfundoi ambasadorja e BE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër