Bruksel, 22 shtator, Zhurnal.mk – Bashkimi Evropian e ka shtyrë sërish vendimin për rinovimin e sanksioneve individuale ndaj Rusisë, ndërsa ambasadorët e 27 vendeve anëtare do të zhvillojnë një takim të ri mëngjesin e së martës, 22 shtator.
Takimi i Coreper II është parashikuar në orën 08:00, ndërsa vendimi për zgjatjen e masave kufizuese duhet të merret deri në mesnatën e së martës. Sipas burimeve të BE-së, qeveritë e vendeve anëtare vijojnë konsultimet për draftin e marrëveshjes.
Pengesë në negociata është bërë edhe çështja e dy biznesmenëve rusë, Alisher Usmanov dhe Mikhail Fridman. Drafti i marrëveshjes parashikon heqjen e tyre nga lista e sanksioneve, ndërsa njëkohësisht rinovimin e masave ndaj rreth 2,600 individëve dhe subjekteve të tjera ruse.
Sanksionet individuale të BE-së përfshijnë ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e udhëtimit dhe janë vendosur ndaj mijëra personave e entiteteve të lidhura me agresionin rus ndaj Ukrainës. Rinovimi kërkon dakordësinë e të gjitha vendeve anëtare.
BE-ja kishte shtyrë më herët afatin e regjimit të sanksioneve deri më 22 shtator, për t’u dhënë vendeve anëtare më shumë kohë për konsultime.
