Shasivari: Demokracia ndërtohet edhe me dije

Nga I.A
28 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 shtator, Zhurnal.mk – Shkup, 22 shtator 2026-Demokracia nuk ndërtohet vetëm përmes zgjedhjeve, por edhe përmes dijes, fakteve, argumenteve dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve, theksoi Ministri i Drejtësisë Jeton Shasivari, në tryezën e rrumbullakët me temë “Përparimi i funksionit hulumtues-analitik në partitë politike-përvoja juridike dhe komparative”.

Në këtë aktivitet u diskutua për rolin e qendrave hulumtuese dhe analitike të partive politike në krijimin e politikave cilësore, përmirësimin e debatit publik dhe forcimin e proceseve demokratike.

“Kur flasim për qendrat hulumtuese dhe analitike të partive politike, flasim për cilësinë e politikave, debatit publik dhe demokracisë. Politika moderne duhet të mbështetet në dije, të dhëna, hulumtime dhe argumente”, theksoi Shasivari.

Ministri nënvizoi se këto qendra nuk duhet të jenë vetëm përmbushje formale e një detyrimi ligjor, por hapësira profesionale ku idetë politike përballen me faktet, hulumtimet dhe nevojat reale të qytetarëve.

“Nëse financohen me mjete publike, ato duhet të krijojnë vlerë publike-përmes hulumtimeve, analizave, vlerësimeve të politikave, rekomandimeve dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale”, tha Shasivari.

Ai theksoi edhe rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërpartiak në fushën e hulumtimeve dhe dijes, pavarësisht dallimeve politike.

“Mund të ketë dallime politike, por mund të ketë edhe pajtim rreth një parimi themelor: vendimet e mira ndërtohen mbi të dhëna të sakta dhe analiza serioze”, theksoi ministri.

Sipas Shasivarit, përgjegjësia e Ministrisë së Drejtësisë është të sigurojë një kornizë të qartë dhe funksionale ligjore, por vetëm ligji nuk është i mjaftueshëm për të krijuar politika cilësore.

“Ligji vendos kornizën-dija krijon vlerën”, porositi Shasivari.

Tryeza e rrumbullakët u organizua nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), i përfaqësuar nga drejtorja Joana Kozma, në kuadër të programit për mbështetjen e zgjedhjeve, të financuar nga Zvicra, e përfaqësuar nga ambasadori Kristof Zomer.

Në takim morën pjesë përfaqësues të partive politike dhe ekspertë relevantë, të cilët shkëmbyen përvoja dhe qëndrime mbi aspektet juridike dhe komparative të funksionit hulumtues-analitik në partitë politike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër