Investimet në infrastrukturë duhet të ndjekin ndërtimin: Shkupi po përballet me mbingarkesë

Nga Xh M
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 22 shtator Zhurnal.mk – Edhe pse ndërtimtaria konsiderohet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe rritja e aktivitetit ndërtimor kontribuon ndjeshëm në zhvillimin e vendit, ekspertët paralajmërojnë se krahas ndërtimeve të reja duhet të zgjerohet dhe përmirësohet edhe infrastruktura.

Në vend dominojnë ndërtimet e objekteve të banimit, qoftë bëhet fjalë për ndërtesa kolektive apo shtëpi individuale, të cilat zakonisht ndërtohen nga qytetarët me mbështetjen e kompanive ndërtimore. Në anën tjetër, interesi për ndërtimin e objekteve afariste është më i ulët. Ka edhe projekte ku kombinohen objektet e banimit me ato afariste, siç janë disa prej qendrave të reja tregtare, por në përgjithësi investimet në objektet afariste mbeten më të dobëta.

Shkupi po ndryshon me ritëm të shpejtë për shkak të intensifikimit të ndërtimeve. Vitet e fundit sektori i ndërtimit sërish është në rritje, ndërsa objekte të reja shfaqen vazhdimisht në kryeqytet, por edhe në disa qytete të tjera të vendit. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikave tregojnë gjithashtu rritje të numrit të lejeve të ndërtimit, që është sinjal se interesi për ndërtimin e objekteve të banimit nuk po bie.

Sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, nga gjithsej 367 leje ndërtimi, 227 ose 61,9 për qind janë për objekte të ndërtimtarisë së lartë, përkatësisht ndërtesa. Gjithashtu, 39 leje ose 10,6 për qind janë për objekte të ndërtimtarisë së ulët, ndërsa 101 leje janë për rikonstruksione. Me këto leje parashihet ndërtimi i 1.248 banesave, me sipërfaqe të përgjithshme të shfrytëzueshme prej 100.440 metrash katrorë.

Eksperti i ndërtimtarisë me përvojë shumëvjeçare, Nikola Velkovski, thekson se kryeqyteti tashmë po përballet me probleme serioze në aspektin e infrastrukturës. Sipas tij, lëvizja nëpër qytet është gjithnjë e më e vështirësuar për shkak të mungesës së transportit publik, mbingarkesës së rrugëve me automjete dhe dendësisë së ndërtimeve të reja.

Ai thekson se pasojat nuk lidhen vetëm me trafikun, por edhe me shërbimet dhe të mirat publike që duhet t’u sigurohen qytetarëve, si furnizimi me ujë, grumbullimi i mbeturinave dhe kapacitetet publike për përkujdesjen ndaj fëmijëve dhe të rinjve.

“Janë ndërtuar shumë ndërtesa të reja mbi infrastrukturën ekzistuese, duke shkaktuar mbingarkesë të sistemit të trafikut, por edhe të rrjetit të ujësjellësit. Infrastruktura nuk është e mjaftueshme as për furnizimin me ujë dhe as për kanalizimin. Nevojiten investime në infrastrukturë, jo vetëm në rrugë, por edhe në shkolla, transport të mirë publik, dhe kjo jo vetëm në qendër, por në të gjitha lagjet periferike, si për shembull Petroveci dhe vendbanimet e tjera më larg qendrës”, thotë Velkovski.

Sipas tij, është e nevojshme që zhvillimi urban të mos përqendrohet vetëm në qendër, por të shpërndahet edhe në periferi, në mënyrë që qytetarët të kenë kushte më të mira jetese.

“Duhet që banimi në qendër të zhvendoset më shumë drejt periferisë, në mënyrë që njerëzit të kenë jetë më të rehatshme. Sot, për shembull, në qendër të qytetit fëmijët nuk kanë ku të luajnë. Për fat të keq, mungon një koncept i qartë për zhvillimin e qytetit”, thekson Velkovski.

Ai shton se duhet të zhvillohen të gjitha rajonet e vendit dhe se pikërisht ndërtimtaria mund të ketë rol të rëndësishëm në këtë proces, por paralelisht duhet të zhvillohen edhe degë të tjera të ekonomisë, në mënyrë që të krijohen vende pune dhe të mundësohet një jetë më e mirë në të gjitha pjesët e vendit, e jo vetëm në disa qytete.

Velkovski vlerëson se sektori i ndërtimit ka hapësirë për rritje të mëtejshme dhe se kjo nuk duhet të kufizohet vetëm në ndërtimin e banesave. Sipas tij, arsyeja pse dominojnë investimet në apartamente është se investitorët privatë synojnë kthimin e kapitalit dhe realizimin e fitimit.

“Është shteti ai që duhet të drejtojë, të tregojë drejtimin dhe të krijojë kushte për një zhvillim më të barabartë dhe më human të mjedisit. Duhet të kërkohen zgjidhje të ndryshme dhe jo të zëvendësohet çdo sipërfaqe e gjelbër me ndërtime. Duhet të ndërtohet infrastrukturë në interes të qytetarëve dhe të kërkohen zgjidhje moderne, e jo gjithçka të betonohet. Ka shumë gjëra që duhet të ndërtohen: kopshte, shkolla, por paralelisht duhet të zhvillohet edhe transporti publik, në mënyrë që qytetarët të mos varen të gjithë nga automjetet e tyre”, përfundon Velkovski.

Ndërkohë, aktiviteti ndërtimor në eurozonë mbeti i pandryshuar në korrik të këtij viti, sipas të dhënave të Eurostat. Këto të dhëna pasojnë rënien më të theksuar të shënuar në qershor, kur prodhimi ndërtimor u ul me 1,5 për qind në eurozonë dhe me 1,3 për qind në Bashkimin Evropian.

Krahasuar me korrikun e vitit 2025, prodhimi ndërtimor ra me 2 për qind në eurozonë dhe me 1,8 për qind në BE. Ndikimin më të madh negativ e pati ndërtimtaria e lartë, e cila në bazë vjetore shënoi rënie prej 6,4 për qind në eurozonë dhe 5,6 për qind në BE.

Mes vendeve anëtare, Hungaria regjistroi rënien më të madhe vjetore, prej 12,2 për qind, e ndjekur nga Spanja me 9,7 për qind dhe Franca me 5 për qind. Finlanda, Sllovenia dhe Bullgaria shënuan rritjen më të madhe vjetore, përkatësisht 12,8, 11,6 dhe 4,8 për qind.

Në të njëjtën kohë, Qeveria po e ndjek nga afër situatën me çmimet e karburanteve dhe planifikon të ndërmarrë masa për zbutjen e rrezikut në rast të përshkallëzimit të situatës.

“Javën e kaluar patëm një seancë të jashtëzakonshme online të Qeverisë. Që nga fillimi i situatës, në mars, kemi ndërmarrë masa për akcizën dhe uljen e TVSH-së, ndërsa me ‘Okta’ kemi dakorduar edhe zbritje. E kemi ulur TVSH-në në 10 për qind. Po diskutojmë, po e analizojmë situatën dhe do të konsultohemi në nivel të Qeverisë. Sigurisht që jemi për mbrojtjen e standardit të qytetarëve, por duhet të shqyrtojmë edhe implikimet fiskale mbi buxhetin”, deklaroi ministrja e Energjisë, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Sanja Bozhinovska, duke konfirmuar se aktualisht është në fuqi masa për uljen e TVSH-së nga 18 në 10 për qind.

Çmimet e karburanteve në pikat e karburantit janë rritur ndjeshëm pas shpërthimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke shtuar më tej presionet inflacioniste.

Sipas Bankës Qendrore Evropiane, inflacioni i energjisë në eurozonë u rrit në 14,3 për qind në gusht, nga 10,3 për qind në korrik. Ndërkohë, çmimet e benzinës dhe naftës në Bashkimin Evropian këtë javë arritën nivelet më të larta që prej fillimit të mbledhjes së të dhënave.

Më 14 shtator, çmimi mesatar i një litri benzinë në BE ishte 2,063 euro, ndërsa nafta kushtonte mesatarisht 2,159 euro për litër. Këto janë çmimet më të larta të regjistruara që nga viti 2005, kur Komisioni Evropian filloi monitorimin e këtyre të dhënave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër