Berisha: Dorëheqjen urgjente të Ramës do ta kemi çështje kryesore në Kuvend

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar situatën politike në vend si një ‘kulm’ të krizës që, sipas tij, lidhet me ‘narkoshtetin që drejton Rama.

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, kryetari i PD, Sali Berisha u ndal gjatë te zhvillimet rreth skandalit të drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni dhe akuzoi Ramën se ka përdorur institucionet e sigurisë në funksion të interesave të caktuara. ‘Dokumentet e fundit zyrtare gjyqësore, të cilat faktojnë se Edi Rama ka vendosur në funksion të karteleve të drogës dhe mafies, Shërbimin Informativ Kombëtar, kreun e këtij shërbimi’, deklaroi Berisha.

Duke iu referuar ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, lideri i opozitës Sali Berisha tha se emërimi i saj në krye të institucionit përbën, sipas tij, një rast të paprecedentë. Ai akuzoi gjithashtu Ramën se po përpiqet ta paraqesë çështjen në një tjetër dritë. ‘E vërteta është se Vlora Hyseni çdo hap, çdo vendim e ka bërë me dijeni dhe porosi të Edi Ramës’, tha kreu i PD-së. Berisha përdori edhe një gjuhë të ashpër ndaj kryeministrit, duke deklaruar: ‘Në qoftë se këta janë pisa, ti je kryepis. Në qoftë se këta janë llum, ti je kryellum. Në qoftë se këta janë mafie, ti je padrino.’

Sipas kryetarit të PD, Sali Berisha, çështja duhet të jetë në qendër të debatit parlamentar. ‘Ndaj dhe kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit si akt i vetëm dhe i domosdoshëm. Parlamenti, këtë çështje, do ta ketë çështjen më kryesore’, u shpreh Berisha. Ai deklaroi se opozita duhet të vijojë betejën politike dhe të informojë partnerët ndërkombëtarë për atë që ai e konsideron krizë të rëndë institucionale.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri thirrje për angazhim të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe zgjedhësve të opozitës. ‘Fjalën duhet ta marrin qytetarët shqiptarë. Fjalën duhet ta marrin zgjedhësit tanë’, deklaroi Berisha, duke shtuar se ‘Edi Rama nuk ikën po nuk e hoqëm’. Ai kërkoi gjithashtu që strukturat drejtuese të Partisë Demokratike të rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke e cilësuar situatën aktuale si ‘kritike’ dhe ‘dramatike’.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër