Pekin, 23 shtator, Zhurnal.mk – Presidenti i Kinës Xi Jinping u largua të mërkurën nga Pekini për një vizitë shtetërore në Shtetet e Bashkuara, me ftesë të Presidentit të SHBA-së Donald Trump. Vizita do të zhvillohet në datat 23 – 25 shtator.
Në delegacion Xi Jinping shoqërohet nga bashkëshortja e tij Peng Liyuan, Cai Qi, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK dhe drejtor i Zyrës së Përgjithshme të Komitetit Qendror si dhe Wang Yi, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe Ministër i Jashtëm.
Gjatë vizitës, Presidenti Xi Jinping dhe homologu e tij amerikan Donald Trump do të zhvillojnë shkëmbime të thelluara pikëpamjesh mbi çështje madhore që lidhen me marrëdhëniet Kinë-SHBA, si dhe me paqen dhe zhvillimin botëror, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Guo Jiakun në një konferencë të rregullt për shtyp.
Diplomacia në nivel krerësh shtetesh luan një rol të pazëvendësueshëm në ofrimin e orientimit strategjik për marrëdhëniet Kinë-SHBA, ndërsa shkëmbimi i vizitave mes dy krerëve të shteteve brenda një periudhe gjashtëmujore përbën një moment historik, tha Guo.
Kina është e gatshme të punojë me palën amerikane për të pasuruar përmbajtjen e marrëdhënieve konstruktive të stabilitetit strategjik, për të forcuar dialogun dhe bashkëpunimin, për të menaxhuar siç duhet dallimet dhe për të kontribuar vazhdimisht në mirëqenien e dy popujve, si dhe në paqen, stabilitetin dhe prosperitetin global, shtoi ai.
