Shkup, 23 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, Gjoko Vellkovski, mori pjesë në “Takimin Ministror për të Rinjtë e Ballkanit Perëndimor 2026”, i cili u mbajt në Podgoricë, Mal të Zi.
Takimi u organizua nga Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), në partneritet me Ministrinë e Sportit dhe Rinisë të Malit të Zi, nën patronazhin e Qeverisë së Malit të Zi, në kuadër të Procesit të Berlinit. Në takim morën pjesë ministra dhe shefa të delegacioneve kompetente për të rinjtë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Takimi ministror përfaqëson platformë ndërqeveritare të nivelit të lartë për dialogun politik, përforcimin e koordinimit rajonal dhe harmonizimin e qasjeve në politikat që ndërlidhen me nevojat dhe perspektivat e të rinjve.
Rëndësi të veçantë takimit të sivjetshëm i jep edhe fakti se shënohen 10 vjet nga themelimi i RYCO-s, e cila gjatë dekadës së fundit është zhvilluar në një platformë të rëndësishme rajonale për bashkëpunimin rinor, dialogun, shkëmbimin dhe ndërtimin e besimit.
Në kuadër të programit ministror u diskutua për prioritetet e bashkëpunimit rajonal për të rinjtë, me fokus të veçantë në atë se si të rinjtë mund të përfshihen në mënyrë më efektive në proceset aktuale të reformave – jo vetëm si përfitues, por si kontribuues aktivë në krijimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave.
Në këtë kontekst, temat e diskutimit përfshinë pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje, mobilitetin dhe ndërlidhjen rajonale, arsimin, punësimin, sipërmarrjen, vullnetarizmin, iniciativat rinore, si dhe rolin e të rinjve në proceset më të gjera reformuese, të ndërlidhura me zhvillimin ekonomik, migracionin, sigurinë, kohezionin social dhe integrimin evropian.
Në këtë drejtim, ministri Vellkovski informoi se në vend po punohet për konceptin e agregatorit të vetëm kombëtar për të rinjtë, përmes së cilit, në një vend të vetëm, do të jenë të disponueshme informacione mbi programet dhe mundësitë që ofrohen nga institucionet shtetërore, komunat, organizatat rinore dhe aktorët e tjerë relevantë në shoqëri.
“Besoj se qasja e tillë në të ardhmen mund të marrë edhe dimension rajonal. Ambicia jonë duhet të jetë që një i ri në Shkup, Podgoricë, Sarajevë ose Tiranë të mund t’i shohë lehtësisht mundësitë që i ka në dispozicion, jo vetëm në vendin e tij, por edhe në rajon”, theksoi Velkovski.
Gjatë diskutimeve, ministri potencoi se të rinjtë duhet të kenë mundësi reale që të marrin pjesë në identifikimin e sfidave, në propozimin e zgjidhjeve, si dhe në monitorimin e rezultateve, në nivel lokal, kombëtar dhe rajonal.
Theks i veçantë iu kushtua edhe ndërlidhjes së politikave kombëtare rinore me proceset më të gjera të reformave. Në këtë kontekst, Strategjia Kombëtare për Rininë 2023–2027 dhe Plani i Veprimit 2026–2027 konsiderohen mekanizma të rëndësishëm për lidhjen e prioriteteve rinore me reformat në fushat që ndikojnë drejtpërdrejt ndaj të rinjve.
Një nga temat e takimit ishte edhe RYCOncile – Fondi Rinor i RYCO-s, si mekanizëm praktik përmes së cilit angazhimet politike për të rinjtë duhet të shndërrohen në mundësi dhe aktivitete konkrete. Fokusi është në mbështetjen e iniciativave rinore, bashkëpunimin rajonal, mobilitetin, pjesëmarrjen, përfshirjen dhe kohezionin social.
Mbajtja e Takimit Ministror synon të kontribuojë në përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal për të rinjtë dhe t’i ndërlidhë përcaktimet politike me mekanizma konkretë të zbatimit të tyre.
Pjesëmarrja e Maqedonisë së Veriut në këtë forum të lartë politik ësht[ mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira me vendet e rajonit, për përforcimin e koordinimit rajonal në politikat rinore dhe për krijimin e hapësirës për iniciativa dhe mekanizma të rinj, që do të kontribuojnë në pjesëmarrje dhe ndërlidhje më të madhe të të rinjve.
