Pekin, 24 shtator, Zhurnal.mk – Të mërkurën pasdite sipas kohës vendore, presidenti kinez Xi Jinping mbërriti në Uashington me aeroplan të posaçëm, duke filluar një vizitë shtetërore në ShBA me ftesë të homologut të vet amerikan Donald Trump.
Kur presidenti Xi dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan arritën në bazën e forcave ajrore “Andrews”, ata u pritën ngrohtësisht nga presidenti Trump dhe bashkëshortja e tij Melania Trump.

foto nga Xinhua
Trump-i shprehu kënaqësinë e vet të madhe që priste presidentin Xi Jinping dhe zonjën Peng Liyuan në Uashington. “Kjo është një vizitë që tërheq vëmendjen e mbarë botës. Presidenti Xi është një udhëheqës i madh dhe ky është një moment i madh. Pres që të shkëmbej thellësisht mendime me presidentin Xi, duke nxitur zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve,” vuri në dukje Trump-i.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua
Fëmijët amerikanë u dhuruan lule të freskëta presidentit Xi Jinping dhe zonjës Peng Liyuan. Rojat e nderit qëndruan gatitu në nderim në të dy anët e tapetit të kuq, ndërsa banda ushtarake interpretoi himnet kombëtare të të dy vendeve. Ndërkohë, u lëshuan 21 të shtëna dhe avionët luftarakë fluturuan mbi vendin e zhvillimit të ceremonisë në shenjë nderimi.

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua
Presidenti Xi Jinping mbajti një fjalim, duke i shprehur popullit amerikan përshëndetjet e sinqerta dhe urimet më të mira në emër të popullit kinez.
Xi vuri në dukje se Kina e ShBA-ja janë vende të mëdha dhe populli kinez e populli amerikan janë popuj të mëdhenj. Të dy popujt kanë pasur shkëmbime të gjata miqësore dhe të dyja palët kanë interesa të integruar thellësisht, tha në vijim kreu i shtetit kinez, duke shtuar që të dyja vendet duhet të jenë partnere e jo rivale. Realizimi i rilindjes së madhe të kombit kinez nuk bie ndesh me “Bërjen e Amerikës përsëri të madhe” (MAGA), përkundrazi, të dy vendet mund të arrijnë sukses të ndërsjellë në të mirë të botës. “Gjatë vizitës së presidentit Trump në Kinë në maj të këtij viti, ramë dakord që të ndërtojmë marrëdhënie të qëndrueshme strategjike konstruktive Kinë-ShBA, si kurs strategjik për zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve. Kina dhe ShBA-ja duhet të ecin drejt njëra-tjetrës dhe të formojnë marrëdhënie të qëndrueshme me bashkëpunimin si fokus kryesor, me konkurrencë të matur, me mosmarrëveshje të kontrollueshme dhe me paqe të parashikueshme, duke gjetur rrugën për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin midis vendeve të mëdha në epokën e re,” u shpreh ai.

foto nga Xinhua
Xi theksoi më tej që, pavarësisht nga zhvillimi i botës dhe nga ndryshimi i kohës, logjika historike e bashkekzistencës paqësore midis Kinës e ShBA-së, dëshira e të dy popujve për shkëmbime miqësore dhe shpresat e përgjithshme të bashkësisë ndërkombëtare për të dyja vendet janë të pandryshueshme.
“Pres që të shkëmbejmë thellësisht mendime me presidentin Trump mbi çështjet e mëdha që kanë të bëjnë me marrëdhëniet dypalëshe dhe me situatën botërore, të pasurojmë më tej përmbajtjen e marrëdhënieve të qëndrueshme strategjike konstruktive kino-amerikane dhe të zgjerojmë hapësirën e shkëmbimeve midis dy vendeve në fusha të ndryshme. Pres gjithashtu të kem kontakte të gjera dhe të shtoj miqësinë me përfaqësues të qarqeve të ndryshme amerikane. Besoj që, me përpjekjet e të dy palëve, gjatë kësaj vizite do të arrihen rezultate frytdhënëse, në të mirë të të dy popujve dhe të paqes botërore,” u shpreh presidenti Xi Jinping.

foto nga Xinhua
