Dimitrieska-Koçoska: Rritja, deficiti dhe huamarrja deri në fund të vitit janë në përputhje me projeksionet

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 shtator, Zhurnal.mk – Deri në fund të vitit nuk pritet rishikimi i normës së rritjes dhe ndryshime në deficitin buxhetor. Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska tha se situata po ndiqet dhe deficiti buxhetor, rritja e PBB-së dhe huamarrja do të vijojnë në përputhje me projeksionet e ribalancit të buxhetit.

“Deri në fund të vitit nuk presim ndryshime të mëdha dhe mbetemi në projeksionet që kishim, sidomos duke marrë parasysh se norma e rritjes në tremujorin e dytë ishte 4.3%. Qeveria në dy vitet e fundit ka punuar fuqishëm dhe me përkushtim në ekonomi dhe mendoj se e gjitha kjo në një farë mënyre po jep rezultate. Ndërsa, sa i përket deficitit buxhetor, atë që kemi projektuar, ajo dhe do të mbetet, pa marrë parasysh nëse do të bëjmë ribalanc apo nuk do të bëjmë ribalanc”.

“Nëse vendosim dhe bëjmë ribalanc të buxhetit, njëkohësisht do të punojmë edhe në shkurtimet e të ardhurave dhe të shpenzimeve. Deri sa jemi në të njëjtën situatë si tani, e përsëris atë që kemi theksuar më herët se deficiti nuk ka për të shkuar mbi atë që është parashikuar, njëkohësisht edhe huamarrja, sepse edhe ajo është pjesë e ribalancit që ka kaluar në Kuvend, dhe le të themi se këto janë disa nga kornizat brenda të cilave duhet të veprojë Ministria e Financave”, tha ministrja e Financave në intervistën për Televizionin e Maqedonisë në Nju Jork.

Ajo theksoi se situata po ndiqet nga afër dhe se po reagohet në përputhje me zhvillimet në nivel global.

“Situatat po ndiqen me kujdes dhe në bazë të tyre, do t’i marrim vendimet përkatëse. Javën e kaluar, në Ministrinë e Financave zhvilluam takim me Drejtorinë e të Ardhurave Publike dhe Drejtorinë e Doganave, me qëllim që të vlerësojmë pritshmëritë tona në përputhje me zhvillimet aktuale, pritshmëritë deri në fund të vitit, si dhe ecurinë e realizimit të të ardhurave në Buxhet, dhe ajo që mund të themi së bashku është se realizimi është në kuadër të planifikimit, me përjashtim të akcizës, si rezultat i masave të ndërmarra”, deklaroi ministrja.

Ministrja, e cila në Nju-Jork mori pjesë në sesionin e punës “Nxitja e rritjes në ekonominë e re”, të organizuar në kuadër të “Takimeve mbi ndikimin e zhvillimit të qëndrueshëm 2026” (Sustainable Development Impact Meetings 2026) të Forumit Ekonomik Botëror, theksoi se masat e ndërmarra në përgjigje të krizës janë të përshtatshme dhe se ato kanë ndikim në Buxhet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër