Editorial / Pensionistët as që do ta ndjejnë rritjen prej 3% – çmimet e larta po i hanë shpejt pensionet!

Nga R.ZH
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 shtator, Zhurnal.mk – Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se pensionet për muajin shtator do të rriten për 3 për qind. Kjo është një rritje tepër e ulët kur bëhet krahasimimi me rritjen e çmimeve në periudhën e kaluar. Brenda një vitit çmimet e ushqimit janë rritur për 4.8 % ndërsa shpenzimet e mirëmbajtjes për 3.8%, kjo i bie që pensioni nuk është rritur aspak. Gjithashtu, nëse krahasohemi me vendet e rajonit, Maqedonia e Veriut i ka pensionet më të ulëta me një mesatare prej 457 euro. Rritja e ardhshme pritet të ndodhë me pensionin e muajit mars, prandaj qeveria duhet të gjejë forma që pensionistët ta ndjejnë me të vërtetë rritjen, shkruan “Zhurnal.mk”.

Pensionet rriten për 3%

Rritja e pensioneve të shtatorit, të cilat do të paguhen në tetor, do të jetë tre përqind. Nivelimi i pensioneve sipas ligjit aktual do të jetë i bazuar në përqindje, jo linear, siç kanë kërkuar disa pensionistë.

Kjo do të thotë që shuma përfundimtare, pra shuma e pensionit të shtatorit, do të llogaritet individualisht për secilin pensionist në varësi të të ardhurave aktuale. Nivelizimi i radhës i pensioneve, sipas ligjit, do të jetë në mars të vitit të ardhshëm.

Formula përfaqëson shumën e 50 përqind të rritjes së kostos së jetesës dhe 50 përqind të rritjes së pagës mesatare neto të paguar në gjysmën e parë të vitit krahasuar me gjashtë muajt e mëparshëm.

Përndryshe, në dy vitet e fundit, pensionet u rritën në mënyrë lineare katër herë, dhe secili pensionist mori një rritje totale të të ardhurave të tij prej 7,000 denarësh, pavarësisht nga shuma e pensionit që e merrte më parë.

Vitin e kaluar, Gjykata Kushtetuese hapi një procedurë për të vlerësuar rritjen lineare, por në mars të këtij viti e ndaloi procedurën sepse propozimi për të vlerësuar kushtetutshmërinë e nenit 2 të ndryshimeve në Ligjin e vitit 2025 për Sigurimin Pensional dhe Invalidor nuk mori shumicën e gjyqtarëve kushtetues.

Maqedonia e Veriut me pensione ndër më të ulëta në rajon

Pensionet në rajonin e Ballkanit Perëndimor shfaqin diferenca të theksuara për vitin 2026, ku Sllovenia dhe Kroacia udhëheqin me diferencë të madhe, ndërsa Shqipëria dhe Kosova pozicionohen në fund të listës me pensionet mesatare më të ulëta në rajon.
Në Slloveni, mesatarja për pensionet e plota të pleqërisë është 1086 euro, e pasuar nga Kroacia me 721 euro, Mali i Zi me 561 euro, Serbia me 485 euro dhe Maqedonia e Veriut me 457 euro.
Në Bosnjë e Hercegovinë, pensioni ndryshon ndryshon sipas entiteteve (Federata dhe Republika Srpska) dhe sillet nga 280 deri në 340 euro, ndërkaq me rritjet e fundit, në Kosovë pensioni mesatar është nga 230-240 euro. Pensionet më të ulëta në Ballkan historikisht i ka Shqipëria ku pensioni mesatar urban llogaritet rreth 190-200 €, ndërsa pensioni rural mbetet shumë më i ulët, rreth 120 €. Synimi i qeverisë është që përmes strategjisë deri në vitin 2030, pensioni mesatar urban të arrijë në 400 euro.

Pensionet rriten minimalisht, standardi jetësor shtrenjtohet shumë

Gjatë vitit të kaluar, kostoja e jetesës në Maqedoninë e Veriut zyrtarisht është rritur me 2.6% (sipas të dhënave të fundit nga Trading Economics dhe Enti Shtetëror i Statistikave për muajin gusht 2026). Edhe pse shkalla e inflacionit ka shënuar stabilizim dhe rënie në krahasim me vitet e kaluara (kur inflacioni mesatar në vitin 2025 ishte 4.1%), çmimet e produkteve dhe shërbimeve bazë vazhdojnë të rriten.

Nga krahasimi i të dhënave zyrtare statistikore gusht 2026 / gusht 2025, rritje më të ndjeshme kanë shënuar pijet alkoolike dhe duhan prej 9.4%, rekreacion dhe kulturë 8.8%, shërbimet në arsim 5.0%, restorante dhe hotele: 4.8%, shpenzimet për ujë, energji elektrike, ngrohje prej 3.8% dhe shpenzimet për transport një rritje prej 3.4%.

Ndërkaq, sipas llogaritjeve të Lidhjes së Sindikatave (LSM), për mbulimin e shpenzimeve minimale mujore të një familjeje katëranëtarëshe (e njohur si shporta minimale sindikale) vetëm për ushqim dhe pije tani nevojiten mbi 25.000 denarë. Gjatë vitit të kaluar, shpenzimet totale reale për jetesë të një familjeje janë rritur për disa mijëra denarë, gjë që mban ende të hapur hendekun mes pagave dhe çmimeve në markete.

Nuk menaxhohen mirë mjetet e Fondit pensional

Fatkeqësisht, sistemi i pensioneve në Maqedoninë e Veriut përballet me probleme serioze strukturore dhe financiare, të cilat vërtetohen nga raportet e fundit zyrtare të auditimit dhe deklaratat e institucioneve. Edhe pse qeveria dhe Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor (FSPI) garantojnë se pagesa e pensioneve aktuale është e sigurt dhe e rregullt, qëndrueshmëria afatgjatë e sistemit është në pikëpyetje të madhe.
Për të paguar pensionet e më shumë se 340.000 pensionistëve, nevojiten rreth 2.4 miliardë euro në vit. Nga kontributet mblidhen vetëm rreth 1.4 miliardë euro. Mbi një e treta e buxhetit të Fondit Pensional duhet të plotësohet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit për të shmangur kolapsin.

Sistemi pensional bazohet në “solidaritetin e gjeneratave” (shtylla e parë), ku të punësuarit paguajnë për pensionistët aktualë. Ky parim po dështon sepse numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi për shkak të plakjes së popullsisë, ndërsa numri i të punësuarve të rinj po zvogëlohet si pasojë e emigrimit masiv të të rinjve jashtë vendit.

Për të parandaluar krizën afatgjatë, institucionet financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore po analizojnë reforma të dhimbshme. Po shqyrtohet mundësia e rritjes së moshës për dalje në pension. Po diskutohen ndryshime në menaxhimin e fondeve private për të rritur kthimin e investimeve dhe për të stabilizuar fondin shtetëror.

Qeveria jonë të mësojë nga Mali i Zi

Në Malin e Zi, sistemi i pensioneve ka pësuar ndryshime të rëndësishme reformuese, me fokus në rritjen e ndjeshme të të ardhurave dhe prezantimin e masave të reja ekonomike. Së fundmi, Qeveria e Malit të Zi ka prezantuar paketën e re ekonomike të quajtur „Euro Model“. Ky plan parashikon një rritje drastike të pagave, e cila do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në sistemin e pensioneve në periudhën e ardhshme.

Në vend të tre herëve siç ishte më parë, nga viti 2027 pensionet do të rregullohen katër herë në vit për të ndjekur më shpejt rritjen e kostos së jetesës dhe të pagave. Parashikohet që pensioni mesatar të kalojë 600 euro, ndërsa pensioni minimal do të kalojë 500 euro. Qeveria ka premtuar se në dhjetor çdo pensionist do të marrë 100 euro shtesë si mbështetje për periudhën e dimrit, shkruan “Zhurnal.mk”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër