A mund ta qetësojë Goran Gerasimovski përplasjen mes LSDM-së dhe Platformës 12.05?

Nga Xh M
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 26 shtator Zhurnal.mk – Ndërsa partia, përmes një komunikate, sulmoi ashpër grupin e ish-bashkëpartiakëve që kërkojnë shkarkimin e liderit aktual, Venko Filipçe, nënkryetari i sapozgjedhur bëri thirrje për bashkim, pasi “të gjithë janë të nevojshëm”. Nga Platforma 12.05 për gazetën “Veçer” deklaruan se vetë Gerasimovski shumë shpejt do të kuptojë se “një dallëndyshe nuk e sjell pranverën”.

Përplasje edhe më e ashpër apo përpjekje për qetësimin e situatës? Kjo është dilema që do të marrë përgjigje në ditët në vijim brenda partisë më të madhe opozitare, LSDM, pasi ka nisur një valë e re tensionesh dhe kërkesash për shkarkimin e liderit aktual, Venko Filipçe.

Pasi grupi i ish-funksionarëve partiakë, të bashkuar në Platformën 12.05, dje paralajmëroi një lloj ofensive me qëllim që Filipçe të detyrohet të japë dorëheqje, nga radhët e socialdemokratëve vijnë mesazhe të ndryshme.

Nga njëra anë janë mesazhet që dënojnë ashpër veprimet e grupit të ish-bashkëpartiakëve, të udhëhequr nga Igor Ivanovski, Andrej Petrov dhe të tjerë, ndërsa nga ana tjetër janë thirrjet për bashkim në radhët e partisë.

Testi i parë për të parë se në cilin drejtim do të zhvillohet situata, duket se do të jetë takimi i paralajmëruar i këtij grupimi me liderin Filipçe. Ata kanë paralajmëruar se në takim do t’ia prezantojnë planin për konsolidimin e partisë, por edhe për bashkimin e frontit opozitar.

Në komunikatën e sotme të LSDM-së, ish-bashkëpartiakëve u është bërë e ditur se kërkesat e tyre nuk do të kalojnë.

“Pikërisht kur LSDM-ja e zbuloi planin e Mickoskit për shitjen e Maqedonisë, hapjen e minierave dhe shfrytëzimin e antimonit pa pëlqimin e qytetarëve. Pikërisht kur njoftuam se një kompani private e armëve ka paguar mbi 1.5 milionë dollarë për lobim për Mickoskin. Defokus nga platforma ZNAM 2.0. Sulm ndaj LSDM-së dhe ndaj kryetarit Venko Filipçe. Pyetja është e thjeshtë: kujt i shërben defokusi dhe zhvendosja e vëmendjes së qytetarëve nga krimi i Mickoskit? Vetëm hajdutit Mickoski. Prandaj duan ta rrëzojnë LSDM-në, por nuk do të ketë asgjë nga kjo. ZNAM 2.0 nuk do të kalojë!”, theksuan nga partia.

Pas kësaj, u ngrit edhe dilema nëse takimi i paralajmëruar mund të realizohet në një situatë të tillë.

Nga radhët e Platformës 12.05 për gazetën “Veçer” deklaruan se “veprojnë sipas një plani të menduar mirë, të cilin nuk mund ta ndryshojnë reagimet e panikut të kësaj udhëheqjeje të çorientuar të LSDM-së”.

Ndërkaq, para mbledhjes së Komitetit Qendror të partisë, Filipçe deklaroi se dëshiron të besojë, por se megjithatë ka dyshime për qëllimet e mira të grupit të udhëhequr nga Igor Ivanovski.

Përballë kësaj situate, tani shtrohet pyetja se çfarë ndryshimesh mund të sjellin ndryshimet e reja kadrovike që ndodhën në LSDM të enjten.

Siç u bë e ditur, për nënkryetar të ri të partisë është zgjedhur Goran Gerasimovski, kryetar aktual i Komunës Qendër të Shkupit. Emërimin e tij të shpejtë në hierarkinë partiake, Filipçe e kishte paralajmëruar që në korrik.

Menjëherë pas zgjedhjes, përmes një postimi në rrjetet sociale, Goran Gerasimovski bëri thirrje për bashkim brenda partisë.

“Përpara nesh nuk është një periudhë e lehtë. Por LSDM-ja gjithmonë është më e fortë kur është më vështirë. Kemi ditur të biem, por kemi ditur edhe të ngrihemi përsëri. Dhe do të ngrihemi sërish. Nga sot nuk ka vend për ndarje. Nuk ka vend për ego. Nuk ka vend për njëri kundër tjetrit, shokë socialdemokratë. Secili është i rëndësishëm. Secili është i nevojshëm. Dhe secili ka punën e tij të kaluar, e cila nuk duhet nënvlerësuar apo margjinalizuar. Të bashkohemi, të ngrihemi dhe të tregojmë se LSDM-ja ka forcë të ecë sërish përpara”, porositi Gerasimovski.

Nga Platforma 12.05, lidhur me këto qëndrime të Gerasimovskit, për gazetën “Veçer” u përgjigjën se nënkryetari i ri shumë shpejt do të bindet se cila është gjendja.

“Nuk konsiderojmë se nevojitet ndonjë koment i veçantë për emërimin e Goran Gerasimovskit, përveç faktit se ai vetë shumë shpejt do të kuptojë se një dallëndyshe nuk e sjell pranverën”, deklaruan nga Platforma 12.05.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër