Tiranë, 28 shtator, Zhurnal.mk – Kuvendi i Shqipërisë do të organizojë nesër, më 28 shtator, Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”.
Në aktivitet do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve shqiptare, Parlamentit Europian dhe parlamenteve të vendeve europiane. Në fokus do të jetë procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe rrugëtimi i Shqipërisë drejt anëtarësimit.
Fjalën përshëndetëse pritet ta mbajnë kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, kryeministri Edi Rama, ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, dhe raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.
Konferenca do të zhvillohet në tre sesione. I pari do t’i kushtohet agjendës së zgjerimit të BE-së dhe procesit të anëtarësimit të Shqipërisë. Sesioni i dytë do të fokusohet te zgjerimi si faktor strategjik për reformat, stabilitetin dhe sigurinë, ndërsa sesioni i tretë do të trajtojë rolin e parlamenteve në avancimin e integrimit europian.
Aktiviteti do të moderohet nga kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, së bashku me përfaqësues të parlamenteve të vendeve pjesëmarrëse.
Diskutimet do të përqendrohen te roli i parlamenteve në procesin e zgjerimit të BE-së, vijimi i reformave dhe forcimi i bashkëpunimit ndërparlamentar në funksion të integrimit europian të Shqipërisë.
