PD: Kërkohet Statusi i Artistit, nuk mund të konsiderohet si një punëtor i zakonshëm

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 shtator, Zhurnal.mk – Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Julinda Emiri, reagoi sot ndaj projektligjit “Për trajtimin financiar të artistëve performues pas ndërprerjes së veprimtarisë artistike skenike”.

Emiri tha se Shqipërisë i mungon një sistem i plotë ligjor për profesionin e artistit dhe se Statusi i Artistit nuk duhet të kufizohet vetëm te çështja e pensionit. Sipas saj, reforma duhet të përfshijë statusin profesional, mbrojtjen sociale dhe të drejtat ligjore të artistëve.

Një nga problematikat kryesore të ngritura prej saj është mungesa e një Kontrate Profesionale Kombëtare të Punës për artistët. Emiri deklaroi se aktualisht nuk janë të rregulluara në mënyrë të posaçme elemente si vështirësia e punës, ngarkesa fizike dhe vokale, ritmi i punës, provat, performancat, dëmtimet profesionale, sigurimet dhe zhvillimi i karrierës.

“Këtu shfaqet absurdi i këtij projektligji: artisti trajtohet me logjikën e një punonjësi të zakonshëm, ndërsa specifika e profesionit të tij merret në konsideratë kur diskutohet përfundimi i karrierës. Njohja e statusit të posaçëm të artistit vetëm kur llogarit pensionimin e artistit, pa garantuar më parë të drejtat që burojnë prej së njëjtës specifikë gjatë gjithë viteve të punës është një kurth i këtij projektligji”, tha ajo.

Ajo u ndal gjithashtu edhe tek përcaktimi i fashave të detyrueshme të moshës, duke argumentuar se karriera profesionale ndryshon mes kategorive të ndryshme të artistëve.

Emiri ngre shqetësime edhe për aspektin social të projektligjit, duke kërkuar qartësi mbi statusin e artistit pas ndërprerjes së marrëdhënies së punës, të drejtat që ruhen, lidhjen e kësaj periudhe me pensionin dhe mënyrën e llogaritjes së përfitimeve.

“Vështirësia e profesionit është po ashtu e patrajtuar. Nuk mund të përcaktohet drejt trajtimi në fund të karrierës pa përcaktuar më parë peshën e kësaj vështirësie gjatë viteve të punës, efektin në pagë, në sigurime dhe në të drejtat e fituara.

“Fashat e detyrueshme të moshës janë një tjetër ngërç. Baleti ka një cikël profesional të ndryshëm nga arti lirik, një solist ka një zhvillim tjetër nga një valltar apo akrobat. Për më tepër, një kriter që miratohet sot nuk përcakton vetëm fatin e artistëve që janë aktualisht 47 apo 57 vjeç, por krijon një rregull afatgjatë edhe për brezat e ardhshëm”, tha Emiri.

Një tjetër çështje e ngritur prej saj ishte edhe ruajtja e memories artistike në institucionet kulturore. Emiri theksoi se artistët me dekada eksperiencë mbartin repertor, teknikë dhe përvojë që mund t’u transmetohen brezave të rinj.

“Ky projektligj godet dhe një aspekt thelbësor: çështjen e memories artistike të institucioneve. Një solist, korist apo balerin me dekada eksperiencë nuk përfaqëson vetëm një numër në organikë”, tha ajo.

Emiri kërkoi që konsultimi për projektligjin të mos jetë formal dhe të përfshijë trupat artistike, sindikatat, specialistët e së drejtës së punës dhe profesionistët e fushës.

Sipas saj, “Partia Demokratike e ka gati programin për Artin dhe Kulturën, ku reforma ligjore është konceptuar si një e tërë: ndryshime në ligjin për artin dhe kulturën, ndryshime në Kodin e Punës dhe në rregulloret e institucioneve, Kontrata Profesionale Kombëtare e Punës dhe Statusi i Artistit”.

Emiri deklaroi se, sipas programit të PD-së, Kontrata Profesionale Kombëtare e Punës është parashikuar si një reformë prioritare që do të implementohej brenda tre muajve të parë të qeverisjes.

“Po në këtë program parashikohet vendosja e vështirësisë së punës për artistët në ‘Kategorinë 1’, si dhe pjesëmarrja e komunitetit artistik në politikëbërjen institucionale. Statusi parashikon më tej mbrojtjen ligjore të artistëve dhe profesionistëve të pavarur, formalizimin e kategorive profesionale dhe sigurimet edhe për artistët që angazhohen jashtë trupave të përhershme. Prandaj debati që kemi sot nuk duhet të përfundojë me ndryshimin e një moshe apo të një përqindjeje në projektligj. Duhet të shërbejë për të bërë reformën që arti shqiptar pret prej vitesh: Kontratën Profesionale Kombëtare të Punës dhe Statusin e Artistit”, tha ajo.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër