Ziadin Sela nuk e mbështet Arkin Jahijin e BDI-së, LSH nuk hyn në garë për Bërvenicën

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 28 shtator Zhurnal.mk – Ndryshe nga liderët e tjerë të Aleancës Kombëtare për Integrim (AKI), Ziadin Sela nuk do ta mbështesë kandidatin e koalicionit për kryetar të Bërvenicës, Arkin Jahijin.

Lidhja Shqiptare, e drejtuar nga Sela, ka bërë të ditur se nuk do të hyjë me kandidat partiak në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Bërvenicën, me arsyetimin se synon të shmangë fragmentimin e votës shqiptare.

Nga LSH deklarojnë se në raundin e parë, anëtarët dhe simpatizantët e partisë janë të lirë të zgjedhin mes tre kandidatëve shqiptarë.

Ky qëndrim, sipas LSH-së, ndryshon në raundin e dytë. Nëse në balotazh kalon një kandidat shqiptar, partia thotë se do të rreshtohet pas tij, pavarësisht përkatësisë partiake.

“Në rrethin e dytë të gjithë shqiptarët duhet të bëhen bashkë për rikthimin e kryesimit të komunës”, porosit LSH.

Qëndrimi i Selës vjen në një kohë kur pjesëtarë të tjerë të AKI-së kanë dalë publikisht në mbështetje të Arkin Jahijit. Ali Ahmeti ka promovuar kandidaturën e Jahijit, ndërsa Arben Taravari ka deklaruar mbështetjen e tij dhe të Aleancës për Shqiptarët për kandidatin e AKI-së. Në mbështetje të Jahijit është shfaqur edhe lideri i Lëvizjes Populli, Skender Rexhepi-Zejdi.

Ndryshe kujtojmë se kandidati i VLEN-it për komunën e Bërvenicës është Jakup Huseini.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër