OVL e UÇK-së kërkon procedimin e Ligjit për Specialen, Syla: S’do rrimë duarkryq

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prshtinë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, ka paralajmëruar se organizata do të ndërmarrë hapa të tjerë, përfshirë protesta, nëse nuk procedohen ndryshimet e propozuara nga PDK-ja në Ligjin për Dhomat e Specializuara, raporton Ekonomia Online.

Syla ka bërë të ditur se OVL-UÇK-ja ka përfunduar përgatitjet për marshin e 1 tetorit në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke u bërë thirrje veteranëve të luftës dhe qytetarëve që t’i bashkohen këtij organizimi.

“Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj (të propozuar nga PDK-ja për ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara), përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë dhe e kuptueshme”, tha ai.

Duke folur për marshin e paralajmëruar, Syla tha se organizatat e dala nga lufta e UÇK-së kanë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e tij më 1 tetor, ndërsa ftoi qytetarët që të marrin pjesë.

“Çështja e dytë për të cilën ju kemi thirrur sot është që organizatat e veteranëve të UÇK-së i kanë bërë të gjitha përgatitjet për marshin e datës 1 tetor. Nga këtu edhe një herë ju bëjmë thirrje të gjitha kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, por edhe të gjithë qytetarëve që ndjejnë që kjo padrejtësi e datës 16 shtator ka cenuar luftën tonë të drejtë dhe shtetësinë e Kosovës, që më datën 1 tetor të jenë në sheshin ‘Skënderbeu’”, tha ai.

Syla ka paralajmëruar se, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh dhe ndryshimet ligjore nuk procedohen, veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta nuk do të qëndrojnë duarkryq, por do të ndërmarrin hapa të tjerë.

“Dhe e kuptojmë që në qoftë se nuk do të merren parasysh edhe kërkesat tona, edhe kjo kërkesë që ka dalë nga një parti politike, në këtë rast e PDK-së, për t’i futur këto ndryshime në ligj, e kuptojmë që është qëllim i keq, e sigurisht ne kemi me i marrë veprimet tona, edhe po e kemi me dalë në rrugë, po do t’i japim mundësi të gjithë atyre në institucionet tona që me u shpreh deri para asaj date, por sido që të jetë, në qoftë se nuk procedohet më tutje, ne veteranët e kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrimë duarkryq edhe kemi me i marrë hapa të tjerë, për të cilët do t’ju bëjmë të ditur”, tha ai.

Ai ka bërë të ditur se organizime të tilla do të vazhdojnë deri në kthimin e bashkëluftëtarëve të tyre në shtëpi, duke e cilësuar marshin e 1 tetorit si paralajmërim për veprimet e ardhshme.

“Ka me pasur organizime të tilla nga OVL-UÇK deri ditën sa bashkëluftëtarët tonë do të kthehen në shtëpitë e tyre, të pafajshëm. Do të thotë, ajo ka qenë një paralajmërim, një nxehje e kësaj çfarë ka me ndodhur”, tha ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër