Tiranë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti ditën e djeshme një fjalim në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, ku foli për zhvillimet politike në Kosovë, proceset gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe qëndrimin e Serbisë ndaj të kaluarës së luftës në Kosovë dhe Bosnje.
Berisha tha se “zgjedhjet e përsëritura në Kosovë, për sa i përket respektimit të parimeve ndërkombëtare për zgjedhjet parlamentare, pavarësisht motivit të tyre, janë zhvilluar në përputhje me këto parime”.
Ai vlerësoi gjithashtu se përsëritja e zgjedhjeve, për shkak të mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, duhet të shmanget dhe kërkoi asistencën e Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias për gjetjen e një zgjidhjeje.
Një pjesë të fjalimit të tij, Berisha ia kushtoi dënimeve të ish-drejtuesve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
“Gjatë këtyre ditëve të fundit, pas dënimeve të papritura të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga gjykata e Kosovës në Hagë, dhjetëra mijëra qytetarë kanë protestuar çdo ditë në Prishtinë. Askush nuk ngrihet kundër ndëshkimit të krimeve, por disa krahasime dhe mungesa e provave të qarta për krime konkrete kanë shkaktuar zemërim publik”, tha ai.
Në fjalën e tij, ai bëri një krahasim me dënimet e ish-zyrtarëve ushtarakë serbë, duke përmendur Vladimir Lazareviç dhe Dragoljub Ojdaniç, të dënuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.
“Për shembull, Tribunali i OKB-së në Hagë dënoi komandantin e Korpusit të Prishtinës, Vladimir Lazareviç, dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, Dragoljub Ojdaniç, me nga 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë Operacionit “Patkoi” në Prishtinë. Në të kundërt, drejtuesit politikë të Kosovës u dënuan me një total prej 84 vitesh burg, bazuar në një zinxhir komandimi që ata nuk e kanë pasur kurrë në mënyrë të strukturuar”, tha Berisha.
Sipas Berishës, në Hagë është ndjekur penalisht vetëm pala shqiptare e konfliktit dhe kërkoi që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë çështjet në mënyrë objektive.
“Së fundmi, dënimet e dhëna nga gjykata e Kosovës në Hagë kanë ndjekur, në mënyrë befasuese, linja të qarta etnike. Në kundërshtim me statutin e saj, gjykata ka ndjekur penalisht vetëm palën e viktimës dhe jo agresorin. Prandaj, le të shpresojmë që Gjykata e Apelit t’i shqyrtojë çështjet e tyre në mënyrë më objective”, tha ai.
Berisha theksoi se “varrimi me nderime shtetërore i kasapit të Bosnjës, orkestruesit të gjenocidit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore në Srebrenicë, ishte një ekzekutim i dytë, 31 vjet më vonë, i 8500 djemve dhe burrave, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre fetare dhe etnike”.
Sipas tij, “kjo është një fyerje e rëndë për të gjithë njerëzimin, një qëndrim i Beogradit dhe i Aleksandar Vuçiç, i cili kërkon të fitojë zgjedhjet me fantazmën e Ratko Mlladiç”.
“Besoj se ky institucion duhet të ndërmarrë veprime të qarta kundër këtyre rreziqeve”, tha Berisha.
