Shkup, 30 shtator, Zhurnal.mk – VMRO-DPMNE mbetet e përkushtuar për votim të diasporës në mënyrë elektronike ose me postë dhe është e gatshme ta mbështesë financimin publik të partive politike, një propozim që vjen nga E Majta dhe BDI-ja, deklaroi sot Antonio Milloshoski, nënkryetar i Kuvendit dhe përfaqësues i VMRO-DPMNE-së në grupin punues për reforma të legjislacionit zgjedhor i cili duhet të mblidhet në orën 11 në Ministrinë e Drejtësisë. Miloshoski konfirmoi se edhe partia në pushtet, nëse arrihet konsensus, do ta pranojë propozimin për një njësi zgjedhore.
“VMRO-DPMNE do të marrë pjesë në këtë takim pune me një qasje konstruktive dhe të argumentuar me qëllim që ta përfundojmë këtë proces të harmonizimit të Kodit zgjedhor me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, modernizimin e Kodit zgjedhor dhe natyrisht me konsensusin më të gjerë të mundshëm politik. Por është e vërtetë se ka dy probleme. Një problem është se LSDM vendosi ta bojkotojë këtë proces dhe kjo paraqet një handikap, pavarësisht nëse ky vendim lidhet me zhvillimet e brendshme të partisë apo me qëndrimin e partisë ndaj shumicës aktuale qeverisëse dhe tema e dytë, e cila gjithashtu lind është sjellja jokonsistente e partisë E Majta ndaj fondeve të destinuara për reklamim politik në fushatën politike. Në propozim- ligjin, ne tashmë kemi pranuar atë që u ofrua si kompromis nga E Majta dhe BDI-ja bashkërisht dhe tani shohim se ky propozim po problematizohet, por si VMRO-DPMNE jemi të gatshëm të mbështesim bashkërisht çdo gjë për të cilën bien dakord BDI dhe E Majta në aspektin e financimit publik. Kërkesa jonë e vetme është që e drejta e garantuar kushtetuese e çdo qytetari për të ushtruar të drejtën e votës, përfshirë diasporën, të respektohet dhe që teknologjia e re në një mënyrë më moderne, elektronike ose me postë ta lehtësojë procesin e votimit për ata që janë shtetas të Maqedonisë dhe nuk janë rezidentë të shtetit”, tha Milloshoski.
Lidhur me kërkesën për një njësi zgjedhore, Milloshoski tha se nëse partitë politike arrijnë konsensus që vendi të jetë një njësi zgjedhore, VMRO-DPMNE-ja do ta mbështesë.
“Në bisedimet e kaluara, si VMRO-DPMNE, kemi shprehur qëndrimin tonë se jemi për një njësi zgjedhore dhe atë qëndrim e kanë ndarë disa parti. Por për fat të keq, dy ose tre opsione politike ishin kundër këtij qëndrimi, njëra propozoi tetë njësi, një parti tjetër politike propozoi tri njësi, BDI propozoi një prag të kufizuar prej pesë për qind si kusht për një zonë zgjedhore. Ishte e dukshme që konsensusi ishte i vështirë për t’u arritur. Nëse arrihet konsensus, nuk kemi problem të kemi një njësi zgjedhore”, ka thënë Milloshoski i cili sot mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Revizioni shtetëror.
