Tettovë, 15 nëntor Zhurnal.mk – Me pjesëmarrjen e një numri të madh familjarësh, bashkëfshatarve, miqve, kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, sot në varrezat e fshatit Përshefcë iu dha lamtumira e fundit ish-futbollistit dhe trajnerit të KF Shkëndija, Agron Memedit, i cili ishte edhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), shkruan tetova1. Në ceremoninë e varrimit ishin të pranishëm edhe përfaqësues të kryesisë së KF Shkëndija, futbollistë të klubit, si dhe tifozë nga grupi i tifozëve „Ballistët“, të cilët erdhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit dhe për të nderuar figurën e tij.
Vdekja e tij, e cila u bë e ditur një ditë më parë, ka prekur thellë familjen, komunitetin sportiv, simpatizuesit e Shkëndijës dhe opinionin e gjerë. Memedi u nda nga jeta në moshën 45-vjeçare, duke lënë pas kujtime të shumta nga karriera e tij sportive dhe kontributi i tij.
Agron Memedi lindi më 5 dhjetor 1980 në Tetovë. Si futbollist luajti kryesisht në pozitën e mbrojtësit të majtë, ndërsa karrierën e ndërtoi në disa klube të Maqedonisë së Veriut. Pas fillimeve te Shkëndija, ai kaloi te Renova, ku qëndroi për një periudhë më të gjatë dhe fitoi titullin e kampionit në sezonin 2009/2010, si dhe Kupën e Maqedonisë në sezonin 2010/2011.
Gjatë karrierës së tij ishte pjesë edhe e Metalurgut të Shkupit, ndërsa përfaqësoi Maqedoninë e Veriut në një ndeshje miqësore. Karrierën si futbollist e përfundoi në janar të vitit 2018.
Pas largimit nga futbolli aktiv, Memedi vazhdoi rrugëtimin në rolin e trajnerit. Në pranverën e vitit 2018 drejtoi për një periudhë të shkurtër Renovën, për t’u angazhuar më pas në akademinë e Shkëndijës.
Që nga gushti i vitit 2026 ishte pjesë e stafit teknik të ekipit të parë të Shkëndijës, në cilësinë e ndihmëstrajnerit të Artim Pollozhanit.
Agron Memedi do të kujtohet si ish-futbollist, trajner dhe ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Lamtumira e sotme dëshmoi respektin dhe vlerësimin që gëzonte mes familjarëve, miqve, bashkëpunëtorëve dhe komunitetit të Shkëndijës.

