Spanja e konfirmoi edhe një herë forcën e saj në përballjen ndaj Kroacisë, duke e mposhtur me rezultat të thellë 4-1 në kuadër të Ligës së Kombeve.
Kampionët në fuqi të botës zhvilluan një paraqitje dominuese dhe mediat kryesore spanjolle e kanë vlerësuar lart lojën e “La Furies Roja”, duke vënë në pah vështirësitë e mëdha të Kroacisë për të konkurruar gjatë ndeshjes.
“Marca” shkruan se Spanja e vendosi shumë shpejt Kroacinë në një pozitë të vështirë, duke e kontrolluar lojën dhe duke mos i lejuar kundërshtarit të krijojë ritëm.
“Spanja e ktheu ndeshjen ndaj Kroacisë në një lojë shahu. Topi ishte një objekt i panjohur për një ekip që e ndjeu mungesën e Modricit në formacionin titullar”, shkruan mediumi spanjoll.
“Marca” ka kritikuar gjithashtu portierin Dominik Livakovic për reagimin te goli i tretë i Spanjës, i shënuar nga Lamine Yamal.
“Lëvizja e Yamalit ishte e shkëlqyer, por Livakovic duhej ta mbyllte më mirë këndin e afërt”, thuhet në analizën e gazetës.
Edhe “AS” ishte i ashpër në vlerësimin e paraqitjes së Kroacisë, duke theksuar mungesën e kontrollit dhe cilësisë në lojën e saj.
“Kroacia nuk pati as kontroll, as cilësi, ndërsa Modric e ndoqi ndeshjen nga banka pas një tjetër paraqitjeje të shkëlqyer të shtunën e kaluar në Çeki”, shkruan “AS”.
Mediumi spanjoll u ndal edhe te diferenca në moshën mes dy skuadrave.
Spanja e nisi ndeshjen me një mesatare prej 24.8 vitesh, ndërsa Kroacia me 28.1.
“Simboli i Kroacisë së vjetër është Ivan Perisic, 37-vjeçar, i cili mbajti shiritin e kapitenit, pasi Modric e nisi ndeshjen nga banka”, përfundon “AS”.


