E pranuan fajin, dënohen me burg tre të akuzuarit për falsifikim të lejeve për vozitje

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 shtator, Zhurnal.mk – Tre të akuzuar në rastin për falsifikimin e patentë shoferëve e kanë pranuar fajin dhe janë dënuar me burgim në procedurë të shkurtuar.

Të akuzuarës së parë, e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i është shqiptuar dënim me burg prej dy vitesh e gjashtë muajsh, ndërsa i akuzuari i dytë dhe i treti janë dënuar me nga një vit e tre muaj burg. Për të tre është vazhduar masa e paraburgimit, njoftuan nga Gjykata Penale në Shkup.

Rasti ka të bëjë me futjen e paligjshme të kategorive në patentë shoferë, lëshimin dhe përdorimin e tyre. Nga Gjykata sqarojnë se bëhet fjalë për propozim-akuzë dhe, meqë nuk ka vlerësim të saj, menjëherë është caktuar seancë gjyqësore. Tre persona janë të paarritshëm për organet e drejtësisë, ndërsa për tre të tjerët, të cilët ishin në paraburgim, dje është mbajtur seancë, ku e kanë pranuar fajin dhe u janë shqiptuar dënime me burg.

Prokuroria Themelore Publike Shkup më 19 shtator ka ngritur propozim-akuzë kundër gjashtë personave për veprën penale të vazhduar “Falsifikim i dokumentit”, sipas nenit 378, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

E akuzuara e parë, e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme si këshilltare e re për dokumentet e udhëtimit në Departamentin për Çështje Administrative në Shkup, në periudhën nga shtatori i vitit 2020 deri në gusht të vitit 2026, në disa raste ka përdorur kodet e saj zyrtare për të ndryshuar patentë shoferët, duke u shtuar kategori, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Pesë të akuzuarit e tjerë janë shoferë të cilët, edhe pse nuk kishin dhënë provimin e vozitjes për kategoritë C dhe D, në marrëveshje me zyrtaren kanë paraqitur kërkesa për lëshimin e patentë shoferëve, në të cilat janë futur kategori për të cilat nuk i plotësonin kushtet ligjore.

Për tre të akuzuarit që janë të paarritshëm për organet e ndjekjes është propozuar caktimi i masës së paraburgimit pasi të kapen, ndërsa procedura ndaj tyre të vazhdojë në mungesë.

Në kuadër të të njëjtit rast, Prokuroria vazhdon me sigurimin e provave kundër edhe 21 personave të tjerë të dyshuar se kanë qenë ndërmjetësues ose përdorues të patentë-shoferëve të falsifikuar, ndërsa hetimi përfshin edhe abuzime të tjera të mundshme të lidhura me rastin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër