Publikohet videoja nga aeroplani drejt Tel Avivit në momentet kur piloti dyshohet se tentoi ta rrëzonte

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tel Aviv, 30 shtator, Zhurnal.mk – Një dramë e rrallë është zhvilluar mëngjesin e sotëm në një fluturim të kompanisë ajrore Flydubai nga Dubai për në Tel Aviv.

Sipas dëshmive të pasagjerëve, njëri prej pilotëve dyshohet se ka tentuar ta rrëzojë aeroplanin, por ekuipazhi dhe pasagjerët kanë arritur ta neutralizojnë dhe të shpëtojnë jetën e të gjithëve në bord.

Në fund, kontrollin e aeroplanit e mori një ekuipazh i ri, i përbërë nga pilotë që rastësisht ndodheshin në fluturim si pasagjerë civilë.

Media të shumta kanë publikuar edhe një video të regjistruar në momentet kur në avion po zhvillohej drama. Në pamje shihen pasagjerë të shqetësuar, disa prej të cilëve kanë ulur kokën drejt dyshemesë, në atë që dukej si lutje. Në sfond dëgjohen vazhdimisht britmat e pasagjerëve të frikësuar.

Sipas dëshmive të pasagjerëve të publikuara nga mediat izraelite, gjatë fluturimit fillimisht janë dëgjuar britma nga kabina e pilotëve dhe, kur dera është hapur, pasagjerët kanë parë gjak.

Pasagjerët pretendojnë se njëri pilot e ka goditur me thikë xhepi tjetrin.

Mediat izraelite raportojnë se kapiteni ishte rus, ndërsa oficeri i parë ukrainas. Flydubai nuk i ka konfirmuar kombësitë apo emrat e tyre.

Nga Flydubai kanë bërë të ditur se fluturimi “ka përjetuar një incident gjatë rrugës” dhe se po dërgojnë një avion zëvendësues nga Dubai.

Policia saudite ka qenë e pranishme pranë avionit pas uljes. Në hetim janë përfshirë kompania ajrore, si dhe autoritetet saudite dhe izraelite.

Siç është raportuar më herët, 174 pasagjerë, përfshirë 27 fëmijë, shumë prej të cilëve izraelitë, janë të sigurt pasi avioni u ul në Arabinë Saudite.

Boeing 737 MAX 8 po fluturonte në një lartësi prej 34 mijë këmbësh, kur mbi veriperëndim të Arabisë Saudite bëri një zbritje të menjëhershme prej 17 mijë këmbësh, të shoqëruar me luhatje të lartësisë dhe ndryshime të shpejtësisë.

Transponderi fillimisht transmetoi kodin 7700, që nënkupton emergjencë të përgjithshme, më pas për një kohë të shkurtër kodin 7500, që nënkupton rrëmbim ose ndërhyrje të paligjshme, dhe më pas u rikthye në 7700, përpara se avioni të ulej i sigurt në Tabuk.

Aktivizimi i kodit 7500 shkaktoi reagimin e ushtrisë izraelite. Aeroplanët e Forcave Ajrore të Izraelit (IAF) u ngritën në ajër, ndërsa Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes zhvilluan konsultime. Situata më vonë u sqarua si një incident i brendshëm në kabinën e pilotëve dhe jo si kërcënim për sigurinë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër