Komisioni i Ndihmës Shtetërore, i drejtuar nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka miratuar vendimin nr. 134, datë 10.9.2026, për autorizimin e skemës së garancisë sovrane me titull “Skema e garancisë sovrane për mbështetjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, dhe fermerëve”. Ky hap ligjor vlerëson përputhshmërinë e masës financiare të miratuar më parë nga Këshilli i Ministrave me rregullat kombëtare dhe ndërkombëtare të ndihmës shtetërore.
Sipas vendimit, skema synon përmirësimin e hyrjes në financim për bizneset e vogla e të mesme, si dhe fermerët e pajisur me NIPT, duke financuar modernizimin teknologjik, transformimin digjital dhe rritjen e kapaciteteve eksportuese.
Parametrat financiarë dhe kushtet e kreditimit
Skema vë në dispozicion një fond garancie me vlerë totale prej 5 miliardë lekësh. Mbështetja mbulon garantimin e huave të dhëna nga bankat tregtare pjesëmarrëse, ku shteti merr përsipër mbulimin e një pjese të konsiderueshme të riskut.
Lidhur me kushtet kryesore të kreditimit dhe tavanet financiare, dokumenti përcakton se “garancia mbulon deri në 70% të principalit të huas së akorduar, por në asnjë rast shuma e përgjithshme e huave të garantuara për të njëjtin huamarrës nuk mund të tejkalojë 200 000 000 (dyqind milionë) lekë.”
Dokumenti specifikon gjithashtu lehtësitë financiare për huamarrësit.
“Norma e interesit për kreditë e garantuara nuk mund të jetë më e lartë se 2%, ndërsa tarifat e aplikueshme ndaj huamarrësit nuk mund të tejkalojnë në total 0.5% të vlerës së huas.”, thuhet në vendim.
Afati i huas mund të shtrihet deri në 10 vjet, me një periudhë mospagimi të principalit (grace period) jo më pak se 12 muaj. Zbatimi i skemës dhe disbursimi i fondit do të vazhdojë deri më 20 dhjetor 2027, ndërsa aplikimet do të pranohen deri më 20 nëntor 2027.
Monitorimi, transparenca dhe detyrimet raportuese
Komisioni i Ndihmës Shtetërore ka vlerësuar se masa plotëson kriteret e transparencës dhe ka efekt nxitës në ekonomike. Në kuadër të monitorimit dhe shmangies së mbikompensimit, bankat tregtare do të llogarisin Ekuivalentin Bruto të Grantit (EBG) për çdo garanti individuale.
Sipas vendimit përfundimtar, janë caktuar detyrimet përkatëse administrative.
“Agjencia për Menaxhimin e Garancive dhe Kredive të Pakthyera të paraqesë pranë Komisionit të Ndihmës Shtetërore, brenda datës 31 mars të çdo viti, raport për ecurinë e skemës gjatë vitit paraardhës financiar”, theksohet në vendim.
Të gjitha dokumentet dhe të dhënat që lidhen me zbatimin e kësaj skeme do të ruhen për një periudhë 10-vjeçare nga data e dhënies së garancisë së fundit individuale. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe është publikuar në Fletoren Zyrtare.
