Tiranë, 01 tetor, Zhurnal.mk – Shoqata e Prokurorëve ka reaguar sot lidhur me Paketa e Re e Garancive Proceduriale në Kodin e Procedurës Penale prezantuar një ditë më parë nga Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Drejtësisë Toni Gogu.
Në një deklaratë për mediet, Shoqata e Prokurorëve shpreh shqetësimin për ndryshimet e propozuara, të cilat “rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat hetimore, të kufizojnë mjetet e kërkimit të provës dhe të dobësojnë efektivitetin e ndjekjes penale, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
“Prokurori, si magjistrat i pavarur, ka përgjegjësinë të zhvillojë hetime të plota e të gjithanshme, duke mbledhur prova si për fajësinë, ashtu edhe për pafajësinë e personit. Ushtrimi i kësaj përgjegjësie kërkon mjete efektive hetimore, të shoqëruara me kontroll gjyqësor dhe garanci për të drejtat e çdo individi. Ndryshimet që prekin themelet e procedimit penal kërkojnë analiza të thelluara të praktikës dhe vlerësim të plotë të ndikimit të tyre”, theksojnë prokurorët.
Sipas tyre, “ndërthurja mekanike e zgjidhjeve nga modele të ndryshme procedurale, pa respektuar arkitekturën institucionale të sistemit shqiptar, rrezikon të krijojë paqartësi dhe një sistem atipik.
“Çdo ndryshim duhet të avancojë standardet e Reformës në Drejtësi, duke ruajtur rolin drejtues të prokurorit në hetim dhe kontrollin gjyqësor si garanci plotësuese të ligjshmërisë dhe të të drejtave. Zbulimi i të gjitha provave që në fazat e hershme të procedimit, kufizimi i masave të sigurimit personal dhe pengesat për zgjerimin e hetimit drejt fakteve të reja të lidhura rrezikojnë ruajtjen e provave, sekretin hetimor dhe efektivitetin e hetimeve, veçanërisht për çështjet qe lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, shprehet më tej kjo shoqatë.
Gjithashtu, prokurorët nënvizojnë se “pavlefshmëria e akteve dhe papërdorshmëria e provave duhet të lidhen me rëndësinë e shkeljes dhe ndikimin e saj mbi provën ose të drejtat e mbrojtjes, pa u kthyer në pasoja automatike që rrezikojnë të gjithë çështjen penale”.
Shoqata e Prokurorëve kërkon një proces konsultimi real, gjithëpërfshirës e me kohën e nevojshme për debat profesional, si dhe mbetet e angazhuar për të vijuar me një analizë më të thelluar të projektligjit.
REAGIMI I PLOTË I SHOQATËS SË PROKURORËVE
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të nismës ligjore të prezantuar nga Këshilli i Ministrave, për një sërë ndryshimesh në Kodin e Procedurës Penale, e konsideron të domosdoshme, që në ushtrim të veprimtarisë së saj, të shprehë këtë qëndrim zyrtar si vijon.
Së pari, Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë mbështet në parim çdo nismë ligjore që synon përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale, përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe të vendeve anëtare të saj, si dhe forcimin e garancive për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Mbrojtja e të drejtave të personit nën hetim dhe të pandehurit nuk është pengesë për drejtësinë penale, por kusht themelor i saj. Në të njëjtën kohë, një procedurë penale demokratike duhet të garantojë edhe aftësinë reale të shtetit për të zbuluar veprat penale, për të mbledhur dhe ruajtur provat, për të identifikuar autorët dhe për të mbrojtur viktimat dhe interesin publik.
Një kod procedural ka nevojë për stabilitet të mjaftueshëm që institucionet ta zbatojnë në mënyrë të njëtrajtshme, që praktika gjyqësore të konsolidohet, që Gjykata e Lartë të mund të zhvillojë funksionin e saj njësues dhe që profesionistët e sistemit të krijojnë standarde të qëndrueshme pune. Prandaj, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit procedural penal krijojnë, në vetvete, një problem të sigurisë juridike dhe të parashikueshmërisë së zbatimit të ligjit.
Shoqata e Prokurorëve vlerëson se ndërhyrje të përmasave të tilla, që prekin themelet e hetimit penal, balancën ndërmjet subjekteve procedurale, si dhe vetë funksionalitetin e sistemit të drejtësisë penale, duhet të mbështeten në një analizë të qartë të problemeve të konstatuara në praktikë dhe në një vlerësim të plotë të ndikimit të ndryshimeve të propozuara. Gjithashtu, procesi i konsultimit publik duhet të jetë real, gjithëpërfshirës dhe me kohën e nevojshme për vlerësimin e efektit të ndryshimeve mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë penale.
Nga analiza paraprake e projekt-ndryshimeve të prezantuara, konstatojmë me shqetësim se një pjesë e konsiderueshme e dispozitave, në vend që të rrisin efektivitetin e ndjekjes penale dhe garantimin e drejtësisë penale, rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat mes subjekteve procedurale, të ngadalësojnë ndjeshëm zbulimin e veprave penale, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe të kufizojnë ndjeshëm informimin publik, duke cenuar interesin publik dhe besimin e qytetarëve te drejtësia.
Në mënyrë të veçantë, konstatohet një prirje për kufizim të kompetencave dhe mjeteve të kërkimit të provës në dispozicion të prokurorit gjatë fazës së hetimeve, duke vendosur barriera procedurale për sekuestrot, kontrollet, përgjimet dhe përdorimin e provave të tjera. Ky kufizim vlerësohet si i pajustifikuar, teksa prokurori në Republikën e Shqipërisë (si në shtete të tjera të BE-së me sistem të ngjashëm magjistrature), është magjistrat, i pavarur në ushtrimin e bashkëndëministrit të veprimeve tipike të hetimit. Përndryshe krijohet një lloj “gjyqtari hetues fragmentar”, pa u ndërtuar një model i mirëfilltë i gjyqtarit hetues dhe pa u transferuar tek ai përgjegjësia e plotë për hetimin. Një shembull i zhvendosjes së kompetencave tipike hetimore të prokurorit drejt gjykatës është detyrimi që çdo sekuestër të bëhet paraprakisht përmes kërkesës në gjykatë. Kjo rrezikon të ngadalësojë ndjeshëm efektivitetin dhe dinamikën e procesit hetimor, si dhe më tepër, duket tërësisht i panevojshëm, në kushtet kur edhe aktualisht, personi, të cilit i sekuestrohet një send ka të drejtën e ankimit në gjykatë.
- Cenimi i sekretit hetimor përmes detyrimit për vënien në dispozicion të personit nën hetim apo të pandehurit të të gjithë provave që lidhen me procedimin, që në fazat e hershme të tij, çka mund të rrezikojë efektivitetin e hetimit, sidomos në çështjet e korrupsionit, krimit të organizuar dhe hetimet proaktive. Barazia e armëve nuk duhet të kuptohet si simetri absolute informacioni në çdo moment të hetimit. Aksesi duhet të jetë proporcional dhe efektiv për ushtrimin e mbrojtjes, sipas fazës së procedimit, objektit dhe rreziqeve konkretë për provën.
- Kufizimi i masave të sigurimit personal, duke e bërë pothuajse të pamundur në shumë raste shmangien e rrezikut të prishjes së provave, shmangien e rrezikut të arratisjes, si dhe parandalimin e rrezikut të kryerjes së veprave penale nga i njëjti person. Gjithashtu, vendosja e kritereve të atilla që kufizojnë ndjeshëm diskrecionin dhe vlerësimin e gjykatës sipas rastit konkret, përbën në vetvete cenim të pavarësisë së saj. Në këtë pikë, është e domosdoshme që çdo ndryshim ligjor të shoqërohet me një studim cilësor e real të gjendjes aktuale dhe të bazohet në parashikime dhe shifra të nxjerra jashtë kontekstit specifik.
- Synimi për të kufizuar thellimin dhe zgjerimin e hetimit përtej objektit fillestar të procedimit penal dhe veprës së regjistruar rrezikon të cenojë hetimet proaktive dhe zbulimin e veprave të lidhura. Regjistrimi i faktit të ri penal duhet të bëhet pa vonesë, sikurse ndodh edhe aktualisht në praktikë, por formulimi fillestar i kallëzimit nuk mund të shndërrohet në kufi absolut të ligjshmërisë së veprimeve hetimore, kur vetë hetimi zbulon fakte të reja të lidhura. Prokurori ka si atribut dhe detyrim ligjor kryerjen e hetimeve sa më të plota e të gjithanshme për çdo procedim penal dhe nëse nga thellimi i hetimeve zbulohen vepra të reja penale, nuk mund të jetë asnjë dallim që çdo procedim penal ose çdo procedim i lidhur të mos ndiqet nga i njëjti prokuror. Përndryshe, copëzimi i procedimeve penale, në një kohë që faktet penale mund të jenë të ndërvarura dhe të lidhura me njëri-tjetrin, përbën një rrezik për efektivitetin dhe suksesin e hetimeve për zbulimin e së vërtetës.
- Shtimi i ndjeshëm i sanksioneve taksative që lidhen me papërdorshmërinë e provave dhe me pavlefshmërinë e akteve kërkon rishikim. Pavlefshmëria dhe papërdorshmëria nuk duhet të jenë pasojë automatike për çdo mosrespektim formal, por ato duhet të lidhen me natyrën e normës së shkelur, rëndësinë e cenimit, ndikimin mbi integritetin e provës ose ushtrimin efektiv të mbrojtjes, standarde këto të vendosura nga jurisprudenca ndër vite.
- Përzierja e pasojave procedurale me përgjegjësinë civile, disiplinore ose penale të subjekteve procedurale. Kodi i Procedurës Penale ka për objekt rregullimin e procedimit penal, kompetencave të subjekteve procedurale, mënyrës së ushtrimit të të drejtave, formimit dhe përdorimit të provës dhe pasojave procedurale të shkeljes së normave të tij. Ai nuk duhet të krijojë një regjim autonom ose paralel të përgjegjësisë disiplinore të magjistratëve. Përgjegjësia disiplinore është pjesë e statusit të magjistratit dhe rregullohet nga kuadri kushtetues dhe ligjor organik, i cili përcakton shkeljet, kriteret e përgjegjësisë, procedurën, organet kompetente dhe garancitë e magjistratit. Për rrjedhojë, një shkelje e një norme procedurale mund të përbëjë fakt relevant për përgjegjësinë disiplinore vetëm kur, në mënyrë autonome, plotësohen kushtet e parashikuara nga legjislacioni disiplinor. Ajo nuk duhet të barazohet automatikisht me shkelje disiplinore vetëm për shkak të formulimit në Kodin e Procedurës Penale.
Projektiligji ndërthur institute dhe zgjidhje të marra nga modele të ndryshme procedurale, pa qenë gjithmonë e qartë filozofia unifikuese e tyre. Një dispozitë nuk mund të transpozohet mekanikisht nga një sistem ku hetimin e drejton një organ tjetër, ku prokurori mund të ketë status dhe funksion të ndryshëm ose ku ekziston një gjyqtar hetues me kompetenca të plota, dhe të vendoset në një sistem ku Kushtetuta dhe Kodi ia ngarkojnë prokurorit drejtimin dhe përgjegjësinë e hetimit. Krahasimi me legjislacionet e shteteve të tjera është i dobishëm vetëm kur është funksional dhe merr në konsideratë të gjithë arkitekturën institucionale të sistemit nga i cili merret zgjidhja, si statusin e prokurorit, rolin e gjykatës në hetim, mënyrën e formimit të provës, strukturën e dosjes, momentin e kontradiktoritetit, mjetet e ankimit dhe përgjegjësinë institucionale. Përndryshe, bashkimi selektiv i instituteve të sistemeve të ndryshme rrezikon të prodhojë një model procedural atipik, të paqartë dhe me qendra të fragmentuara përgjegjësie. P.sh., ndërsa nga njëra anë importohen disa institute të Kodit italian (hetimet e mbrojtjes, retrodationi i regjistrimit, “pritshmëria e arsyeshme për dënim”), nga ana tjetër konstatohet largim nga vetë modeli italian lidhur me vlefshmërinë e kontrollit dhe sekuestros nga prokurori.
Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se çdo reformë duhet të avancojë më tej standardet e vendosura tashmë me Reformën në Drejtësi. Vetë Analiza e Sistemit të Drejtësisë e vitit 2015, që i parapriu Reformës në Drejtësi, nuk propozoi rrëzimin e modelit prokurorial të hetimit. Ajo identifikoi në atë kohë probleme të qartësisë së rolit të prokurorit, mënyrës së organizimit të prokurorisë si një organ i centralizuar, afateve procedurale, kontrollit të hetimeve, gjykimit në mungesë, eficiencës dhe sistemit të ankimeve. Në këtë analizë u theksua se ndjekja penale duhet të ushtrohet nga prokurori, se hetimet paraprake janë faza ku mblidhen të dhënat dhe zbatohen mjetet e kërkimit të provës, dhe se gjykata ka rol kontrollues për ndërhyrjet më të rënda. Pra, diagnoza ishte për përmirësim të ekuilibrit dhe garancive, jo për heqjen e prokurorit nga qendra e hetimit. Pikërisht pas kësaj analize, u bënë ndërhyrje në Kodin e Procedurës Penale, të hyra në fuqi në vitin 2017, të cilat kishin si objektiv të deklaruar njëkohësisht fuqizimin e rolit të prokurorit gjatë hetimeve dhe kontrollin gjyqësor të veprimeve të tij. Decentralizimi i prokurorisë u shoqërua me krijimin e gjyqtarit të seancës paraprake si mekanizëm kontrolli. Kjo tregon se ligjvënësi i reformës e konceptoi pavarësinë e prokurorit dhe kontrollin gjyqësor si elemente plotësuese, jo si alternativa që përjashtojnë njëra-tjetrën.
Çështjet kryesore për të cilat Shoqata e Prokurorëve shpreh shqetësim:
- Copëzimi i kompetencave që lidhen me procesin hetimor, ndërlikimi procedural dhe humbja e efikasitetit të hetimeve paraprake. Vendosja e barrierave të shumta procedurale për mjetet e kërkimit të provave krijon një proces të ngadaltë, të fragmentuar dhe joefektiv, në kundërshtim me nevojën për reagim të shpejtë dhe proporcional në hetimet penale. Prokurori vijon të mbajë përgjegjësinë për plotësinë dhe drejtimin e hetimit, por njëkohësisht i kufizohen instrumentet operative për ta realizuar atë. Kontrolli gjyqësor është garanci e ligjshmërisë dhe e të drejtave, por ai nuk duhet të shndërrohet mekanikisht në normë procedurale mund të përbëjë fakt relevant për përgjegjësinë disiplinore vetëm kur, në mënyrë autonome, plotësohen kushtet e parashikuara nga legjislacioni disiplinor. Ajo nuk duhet të barazohet automatikisht me shkelje disiplinore vetëm për shkak të formulimit në Kodin e Procedurës Penale.
Përsa më lart, kërkojmë transparencë të plotë mbi procesin e inicimit të kësaj nisme ligjore, duke përfshirë publikimin e analizave dhe studimeve mbi të cilat janë mbështetur ndryshimet, si dhe zhvillimin e një procesi konsultimi publik real, me përfshirjen e përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë, magjistratëve, avokatisë, akademisë dhe shoqërisë civile.
Në këtë kuadër, Shoqata e Prokurorëve mbetet e angazhuar për të kontribuar me ekspertizë profesionale në ndërtimin e një sistemi procedural penal modern, efikas dhe në përputhje me standardet më të mira europiane dhe thekson se çdo reformë duhet të avancojë më tej standardet e vendosura me Reformën në Drejtësi, duke korrigjuar aty ku është e nevojshme, por pa cenuar funksionimin efektiv, sigurinë juridike dhe ekuilibrin kushtetues të sistemit të drejtësisë penale.
