Hita në Konventën Evropiane të Shefave të Policisë, forcohet bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 01 tetor, Zhurnal.mk – Në kuadër të Konventës Evropiane të Shefave të Policisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një sërë takimesh me drejtues të lartë të agjencive ligjzbatuese të vendeve partnere, me fokus forcimin e bashkëpunimit policor, shkëmbimin e informacionit dhe rritjen e bashkëpunimit operacional.

Hita zhvilloi takime me drejtorët e përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë, Spanjës dhe Finlandës, me Drejtorin e Përgjithshëm në detyrë të Policisë së Sllovenisë, Komisioneren e Policisë së Holandës, Drejtuesen e Lartë të Byrosë së Sigurisë Diplomatike të ShBA-së, Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) të Mbretërisë së Bashkuar, si dhe me përfaqësues të lartë të agjencive ligjzbatuese të Suedisë, Izraelit dhe Moldavisë.

Gjatë takimeve, Hita përcolli gatishmërinë e Policisë së Shtetit për të thelluar më tej marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, përmes shkëmbimit në kohë të informacionit, koordinimit operacional dhe zhvillimit të hetimeve të përbashkëta, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, krimit kibernetik, terrorizmit dhe krimeve ndërkufitare.

Nga ana e tyre, homologët vlerësuan profesionalizmin dhe kontributin e Policisë së Shtetit në përpjekjet e përbashkëta kundër kriminalitetit, si dhe besimin e ndërsjellë tashmë të konsoliduar, duke shprehur gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

“Jemi përballë një krimi gjithnjë e më të organizuar dhe ndërkombëtar, ndaj edhe përgjigjja jonë duhet të jetë e përbashkët, e shpejtë dhe pa barriera. Policia e Shtetit shqiptar mbetet maksimalisht e angazhuar për të konsoliduar urat e bashkëpunimit operacional dhe informativ me partnerët, me koordinimin e EUROPOL-it, INTERPOL-it dhe agjencive të tjera ligjzbatuese, me qëllim përmbushjen e objektivave tona të përbashkëta dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve të vendeve tona. Ky bashkëpunim duhet të mbështetet në shkëmbimin e shpejtë të informacionit, koordinimin operacional dhe veprimin e përbashkët”, tha Hita.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër