Joao Felix dëshiron të rikthehet te Barcelona dhe sipas Sport, rrethi i tij tashmë i ka përcjellë klubit katalanas gatishmërinë për një rikthim në verën e vitit 2027.
Sulmuesi portugez është nën kontratë me Al Nassr deri më 30 qershor 2027 dhe synon të rikthehet në futbollin evropian si lojtar i lirë.
Nëse nuk rinovon, nga 1 janari 2027 ai mund të negociojë me klubet evropiane për të ardhmen e tij.
Felix ka luajtur më parë për Barcelonën gjatë sezonit 2023/24, kur ishte i huazuar nga Atletico Madridi.
Ai zhvilloi 44 ndeshje dhe shënoi 10 gola, por katalanasit nuk vendosën ta transferonin përfundimisht.
Pas largimit nga Barcelona, ai kaloi te Chelsea dhe më pas te Al Nassr. Në sezonin 2025/26, portugezi rigjeti formën e tij më të mirë, duke shënuar 26 gola në të gjitha garat.
Sipas Sport, Jorge Mendes tashmë ka informuar Barcelonën për dëshirën e lojtarit për t’u rikthyer.
Megjithatë, aktualisht nuk ka negociata konkrete dhe vendimi do të varet nga forma e Felixit, paga e tij dhe planet e Barcelonës për repartin ofensiv.
Për 26-vjeçarin, Barcelona mbetet prioriteti kryesor për rikthimin në Evropë.


