Shkup, 2 tetor, Zhurnal.mk – Partia politike Levica përmes një komunikate kërkon ndryshime në sistemin tarifor për energjinë elektrike, duke vlerësuar se çmimi nominalisht i ulët i rrymës nuk do të thotë edhe kosto e ulët për qytetarët.
Nga partia i referohen të dhënave të EUROSTAT për gjysmën e dytë të vitit 2025, sipas të cilave, kur çmimi i energjisë elektrike krahasohet me fuqinë blerëse të popullsisë, Maqedonia ka koston më të lartë mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Nga Levica shpjegojnë se çmimi nominal vetvetiu nuk e tregon barrën reale mbi buxhetin familjar. Për këtë qëllim EUROSTAT përdor PPS – standardin e fuqisë blerëse, i cili mundëson krahasimin e barrës reale të çmimeve mes shteteve, duke marrë parasysh dallimet në nivelin e çmimeve dhe fuqinë blerëse.
“Çmim i lirë”, sipas partisë, nuk do të thotë automatikisht edhe energji elektrike e lirë për punëtorët, pensionistët dhe familjet me të ardhura mesatare. Nga Levica theksojnë se në kushte të të ardhurave të ulëta dhe kostove të rritura të jetesës, çdo shtrenjtim i nevojave bazë energjetike ndikon drejtpërdrejt në standardin e jetesës. Nga partia gjithashtu e kritikojnë punën e deritanishme të Komisionit Rregullator për Energjetikë, duke theksuar se ndryshimi i shpeshtë i rregulloreve dhe modeleve tarifore e rrit barrën mbi qytetarët.
Levica propozon të mbahen blloqet tarifore, por të zgjatet periudha kohore në të cilën vlen tarifa e lirë, me qëllim që ajo të jetë e qasshme për një numër më të madh familjesh.
Si zgjidhje strukturore për uljen e çmimit, nga partia kërkojnë që ELEM Shitje të përcaktohet me ligj si furnizues universal, me marzhë dy herë më të vogël se marzha aktuale e EVN Home prej 9,9 përqind.
Përveç kësaj, Levica kërkon futjen e sistemit shumëtarifor me periudhë dimërore dhe verore dhe më shumë blloqe orare, si dhe futjen e tarifës diellore me të cilën do të harmonizoheshin prodhimi dhe konsumi, do të shfrytëzoheshin tepricat nga energjia diellore dhe do të uleshin faturat për energji elektrike.
Nga partia kërkojnë edhe zgjatjen e periudhës për përdorimin e tarifës së lirë, me qëndrimin se sektori energjetik duhet të jetë i orientuar drejt sigurimit të energjisë elektrike të qasshme dhe mbrojtjes së standardit të jetesës së qytetarëve.
